in

Shqipëri-Kosovë. Në janar mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive

Qëllimi i këtij takimi është hartimi dhe vënia në funksionim e një strategjie të përbashkët qeverisjeje me Kosovën, për t’i bërë të padukshëm kufijtë mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë pritet që nga mesi i këtij muaji të zhvillojnë të parën mbledhje të përbashkët, në Prizren.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive u paralajmërua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në 13 shtator gjatë vizitës që zhvilloi në Prishtinë, me anëtarë të Kabinetit,  vizita e tij e parë në cilësinë e Kryeministrit pas prezantimit të programit të qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë.

 “Besoj, që kjo risi do të sjellë rezultate dhe do të bëjë të mundur që të dyja qeveritë ta çojnë përpara bashkëpunimin mes tyre”, tha kryeministri shqiptar në Prishtinë.

Qëllimi i qeverisë së Shqipërisë, sikurse u shpreh kryeministri Rama në konferencën për shtyp të fundvitit 2013, është hartimi dhe funksionimi i një strategjie të përbashkët qeverisjeje me Kosovën, për t’i bërë kufijtë e padukshëm.

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e konfirmoi edhe Kryeministri kosovar Hashim Thaçi në mbledhjen e fundvitit 2013 të qeverisë. Duke theksuar bashkëpunimin mes dy vendeve, Thaçi tha se mbledhja e përbashkët do të zhvillohet në javën e dytë të janarit.

Prej marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë, në shtator të vitit të kaluar, Rama e ka vizituar dy herë zyrtarisht Kosovën. Në vizitën e parë, në 13 shtator, ai u takua në Prishtinë me krerët e shtetit të Kosovës dhe iu drejtua me një fjalë Kuvendit, ndërsa në 23 tetor mori pjesë në ceremoninë shtetërore të inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”. (ATSh)

Brescia. Vret veten 43-vjeçari që qëlloi me armë njerëzit e ish të shoqes

Janë shqiptarë sipërmarrësit e huaj më të shumtë në provincën e Riminit