in

Shqipëria drejt zgjedhjeve{br}Në kërkim të votës së emigrantëve

Është vota që mund të bëjë diferencën. Nëse opozita apo mazhoranca e marrin seriozisht realizimin e infrastrukturës për votën e emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, atëherë basti i kësaj loje pushteti do të jetë ku e ku më i madh sesa sot.
Nga Alqi Koçiko

Kur kryeministri Berisha i bëri kundërshtarit kryesor politik ftesën e beftë për të miratuar së bashku bazën ligjore për votimin në distancë të emigrantëve, para dy javësh, u kuptua që ai nuk e kishte seriozisht. Së pari një hap i tillë është çështje infrastrukture, së dyti dhe më e rëndësishmja, është çështje besueshmërie. Reagimi “çarmatosës” i Berishës ishte veç kundërpërgjigje pas takimit që Edi Rama pati me një përfaqësi emigrantësh në Milano, por nëse hapat konkretë për votën e emigrantëve aty ku jetojnë, do të vonojnë të realizohen (me siguri jo në këto zgjedhje), beteja për votën e tyre është më serioze se kurrë. Dy kampet kryesore politike, por edhe dy forcat e tjera FRD dhe AK, kanë tek qindra mijë votuesit jashtë atdheut, një depozitë aq të madhe votash potenciale, saqë do ishte e pafalshme të mos përpiqeshin në çdo mënyrë për t’i joshur.

Dhe lufta ka filluar. Për Edi Ramën, vota e emigrantëve “është vendimtare për rezultatin e 23 qershorit”. Ilir Meta sapo mbylli një takim në Athinë, ku u premtoi simpatizantëve të LSI-së se këto zgjedhje do të ishin të fundit që ata do detyroheshin të udhëtonin për të dhënë votën. Ndërsa Berisha, që në një takim me një përfaqësi emigrantësh shqiptarë të gusht të 2012-ës, pat premtuar për votimin në distancë. Por në negociatat PD-PS për kodin zgjedhor menjëherë më pas, kjo çështje nuk ishte në rend të ditës. Gjithsesi, deputeti Tritan Shehu, i ngarkuar me emigracionin në PD, ka kryer takime të vazhdueshme sa në Itali e Greqi, Nga Milano e Trento, në Athinë e Selanik.

Llogaritë matematike të partive për të projektuar rezultatin elektoral, më së shumti bazohen në votat që kanë marrë zgjedhjet e fundit, duke shtuar edhe pritshmëritë për zgjedhjet e afërta, në varësi të aleancave, premtimeve, sukseseve të veta dhe dështimeve të kundërshtarit. Por nëse ka një faktor që mund t’i bëjë çorap të gjitha llogaritë, ai është pikërisht vota e emigrantëve. Sikur nga rreth 680 mijë shqiptarët e dokumentuar në Greqi dhe 520 mijë të tjerë në Itali, pra në destinacionet më të afërta, vetëm 700 mijë në total të konsiderohen zgjedhës, kjo shifër është në gjendje të përmbysë çdo parashikim. Por ka një problem: motivimi i tyre për të ardhur në Shqipëri dhe për të hedhur votën.

Pikërisht këtu i kanë përqendruar forcat partitë. Prej kohësh, më të mëdhatë syresh kanë krijuar degët e tyre në qytetet kryesore të Greqisë e Italisë, me mision kryesor shtimin e radhëve dhe mobilizimin për të votuar. Përgjithësisht, këtë 15 vjeçarin e fundit zgjedhjet shqiptare janë mbajtur në verë dhe udhëtimi drejt atdheut për të kombinuar votimin me çmalljen me familjarët, është një motiv i mirë. Por gjithnjë e më tepër, nuk ka mjaftuar për të bindur emigrantët, nëse këta nuk janë tifozë të thekur partiakë; aq më tepër që në shumë raste familjet tashmë janë bashkuar. Këtu hyn në lojë sponsorizimi i udhëtimit, një zë jo i parëndësishëm, ma merr mendja, në shpenzimet elektorale të partive kryesore, që gjithsesi mbeten të errëta e misterioze.

Në vite, nuk kanë munguar kësi lloje sponsorizimesh. Dikur, akuzohej Greqia zyrtare se mobilizonte minoritarët duke i sjellë me autobusë falas në Shqipëri. Megjithë krizën, ky fenomen nuk ka pse të mos përsëritet, por edhe kampet kryesore politike nuk mund t’ia falin vetes të mbeten prapa në këtë drejtim. Dhe akuzat në shtyp nuk kanë munguar: Fjala vjen, bileta avioni falas nga kompania ajrore pranë kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për votuesit e PD-së.

Shpenzimet nuk janë të vogla. Një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë në Greqinë kontinentale, kanë për destinacion kthimi jugun dhe qendrën e Shqipërisë, pra një distancë jo e madhe. Po ashtu, shqiptarët që punojnë e jetojnë në jug e në Italinë qendrore, kthehen në pellgun Shkodër-Vlorë-Tiranë. Në rastin e parë, biletat vajtje-ardhje kushtojnë 40-55 euro për autobusin e rreth 200 euro për avionin, ndërsa nga aeroportet italiane drejt Tiranës e kthim, të duhen 200-250 euro nëse nuk ke kapur ndonjë ofertë muaj më herët. Tragetet për në Vlorë e Durrës, shkojnë nga 30 në 110 euro vajtje-ardhje, në varësi të kushteve dhe klasit të biletës. Por edhe sikur të merren parasysh vetëm çmimet minimale, shpenzimet për grupe të mëdha janë serioze. Me një mesatare prej 50 eurosh shpenzim për secilin nga 700 mijë votuesit, partitë kryesore politike duhet të kenë në dispozicion 35 milionë euro. Por edhe sikur një të shtatën e kësaj shifre të arrijnë të mobilizojnë, flitet për 5 milionë euro. Çfarë garancie pra, ka partia ndaj shqiptarit mistrec emigrant, se do votojë për të? Zgjidhjet janë gjetur dhe provuar me kohë. Njësoj si dëshmia e besnikërisë që partia në pushtet kërkon ndaj punonjësit të administratës, edhe emigranti duhet të fotografojë në kthinën e fshehtë, fletën e votimit bashkë me dokumentin e identifikimit, dhe t’ia tregojë personit të duhur. Por të paktën në forumet virtuale, nuk mungojnë debatet dhe reagimet, sigurisht nën strehën e anonimatit, mbi “kapërcimin” e kësaj pengese. Një ide është ardhja falas me ndihmën e partisë, votimi për një parti tjetër dhe kthimi me paratë e veta. Nuk kanë munguar propozime, sidomos nga partitë opozitare, të tipit: “Paratë merruani, votën mos ua jepni!” Sido që të jetë, përtej batutave bëhet fjalë për një çështje serioze.

Nëse marrim për bazë zgjedhjet e fundit parlamentare dhe jo ato lokale, opozita e sotme (PS-LSI) ka marrë rreth 775 mijë vota dhe mazhoranca rreth 715 mijë, me rrumbullakosje të përafërta. Pra, ky minimum prej 100 mijë votash emigrante dhe jo më tepër, është një shifër vendimtare. Aq më tepër që sidomos socialistët dhe demokratët nuk synojnë minimumin, por më shumë. Fjala vjen, dega e PS-së në Greqi ka deklaruar se në zgjedhjet e 2009-ës, rreth 80 mijë emigrantë erdhën të votojnë për socialistët, edhe pse vota e tyre u vodh në masë të madhe. Kjo shifër është padyshim e ekzagjeruar, ndërkohë që burime të selisë rozë pohojnë se objektivi maksimal i tyre për këto zgjedhje, është të marrin 20 mijë vota emigrantësh nga Greqia, ndërsa nga Italia ende nuk ka ndonjë projeksion. Nga dega e PD-së në Greqi, e themeluar së fundi, njoftohet se janë regjistruar 2600 anëtarët e parë, por shtojnë se simpatizantët dhe ndjekësit janë shumë më tepër.

Ndërkohë që Aleanca Kuqezi e ka shpallur haptas përmes drejtuesit të saj Kreshnik Spahiu, se grupet e mëdha të të munguarve, ku përveç abstenuesve brenda vendit, llogariten edhe emigrantët, do të jenë baza e votave që kjo parti do të marrë më 23 qershor. Në pamje të parë, logjika qëndron: Shqiptarët e larguar jashtë vendit, afërmendsh që në përqindje të konsiderueshme mund të quhen të zhgënjyer nga të dyja partitë që kanë qeverisur vendin, e rrjedhimisht duhen quajtur rezervuar votash për një parti të re me njerëz idealistë e të pakonsumuar. Problemi qëndron gjetiu: Sesa janë të bindur emigrantët që AK i ka cilësitë e mësipërme.

Përqendrimi politik për votën e emigrantëve, ndoshta simbolikën e vet më domethënëse, sidomos për PS-në, e ka tek 10 votat lapidare të garës për bashkinë e Tiranë, dy vjet më parë. Prandaj mobilizimi i ethshëm i këtyre ditëve, do të shtohet edhe më sa më shumë që afrojnë zgjedhjet. Emigrantë shqiptarë ka edhe në Angli, Gjermani, Zvicër e gjetiu, por Greqia dhe Italia mbeten fokusi kryesor i partive. Tani për tani. Sepse nëse opozita e sotme, apo qoftë dhe mazhoranca, e marrin seriozisht realizimin e infrastrukturës për votën e emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, atëherë basti i kësaj loje pushteti do të jetë ku e ku më i madh sesa sot.

Revista Klan

Treviso. Autista di scuolabus picchia un dodicenne: “Romeno di m…”

Roland Sejko tërheq çmimin ‘David di Donatello’ për dokumentarin e tij ANIJA