in

Shqipëria në Festivalin ndërkombëtar të gojëdhënave popullore në Torino

Të premten më 18 qershor ora 20.00, në sheshin Carignano një grup të rinjsh studentë në Torinodo të vërë në skenë “Pallatin 176”, në praninë e të ftuarës së nderit Eva Alikaj.
Të dielën më 20 qershor ora 11, në sheshin Castello, shoqata Zëri i Arbrit paraqet japrakun, pjatën tipike të Elbasanit. E njëjta shoqatë në 12.00 po të të dielës, në sheshin Carignan, sjell një ekspozitë veshjesh dhe prodhimesh tezgjahu të zonës së Zadrimës dhe të Gurit të Zi.

 

Më 18 qershor nis në Torino edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Gojëdhënave Popullore që zgjat tri ditë deri të dielën më 20 qershor gjatë të cilave në sheshet e qendrës historike të qytetit të Torinos do të shpalosin traditat e tyre në kulturë, art e kuzhinë komunitetet e huaja që jetojnë në qytet. Festivali i Gojëdhënave popullore vë në plan të parë komunikimin. Gjatë tij, kultura e popujve jepet pikërisht edhe përmes asaj çka është kaluar edhe gojazi nga një brez në tjetrin. Ky festival organizohet nga Rrjeti Italian i Kulturës Popullore.

pallati176.pngNë këtë edicion paraqitja e Shqipërisë do të nisë të premten më 18 qershor në orën 20.00 në sheshin Carignano, me vënien në skenë të një përzgjedhjeje copëzash nga pjesa teatrale Pallati 176 nën kujdesin e gazetarëve Gerarta Zheji Ballo dhe Blenti Shehaj. E ftuar nderi e mbrëmjes do të jetë Eva Alikaj, protagonistja elsa e spektaklit, një nga aktoret tona më të njohura.

Pallati 176 është një komedi teatrale e vitit 1985. Në rrethana kulturore të mbizotëruara nga realizmi socialist, po dukeshin – edhe pse të zbehta – dritat e para të ndryshimit të ardhshëm. Kjo pjesë teatrale arrin të japë me zhdërvjelltësi dhe humor probleme, zakone dhe manitë të familjeve shqiptare në mëdyshje mes ngurtësisë së sistemit komunist dhe kërkimit të një normaliteti – qoftë edhe vetëm në dukje – në jetët e tyre të përditshme. Shumë shpejt Pallati 176 fiton famë mbarëkombëtare si asnjë tjetër pjesë teatrale.

Publiku i të gjitha moshave e ka bërë aq për vete komedinë sa batutat e saj u bënë pjesë e gjuhës së përditshme, madje përdoren edhe sot nga të rinj që as nuk kishin lindur kur Pallati 176 u shfaq për të parën herë. Të rinj si Ergys, Dafina, Aldi, Elona, Enkeleida, Leonard, Evelina, Ervin e Imelda që sot po ndjekin studimet universitare në Torino dhe që kohën e lirë ia përkushtojnë pasionit të tyre, duke filluar pikërisht nga Pallati 176. Shfaqja do të jetë në gjuhën shqipe (me përkthim në italisht) pikërisht për shkak se pika e fortë e saj janë batutat që tashmë janë futur thellë në të folurën e përditshme të të rinjve, të cilëve dëshirohet t’u tregohet – me tone humoristike – sado pak nga vitet e fundit të diktaturës, tashmë të largët por që sidoqoftë hijen e saj e gjen sot në mendjet e shqiptarëve.

japrak.gifNdërsa më 20 qershor në orën 11 të paradites në sheshin Castello, shoqata kulturore e Albës (provina e Cuneos), Zëri i Arbrit do t’u sjellë të pranishmëve artin e kuzhinës shqiptare. Me një pjatë tipike të Elbasanit, por të njohur në gjithë Shqipërinë, sa të shëndetshme aq edhe të thjeshtë në përbërësit e saj. Mjafton një, gjethe rrushi, për të kuptuar se është fjala për japrakun. Publikut do të ketë mundësi jo vetëm të shijojë japrakun por edhe mësojë recetën e tij dhe të dëgjojë gojëdhënat e traditës që shoqërojnë këtë pjatë pranverore.

Në orën 12, në sheshin Carignano, Zëri i Arbrit do të marrë pjesë në takimin “Histori të shkruara e histori të qëndisura: tekstilet si rrëfim”. Shoqata do të sjellë në shesh një ekspozitë veshjesh tradicionale dhe mbulesash të përdorura në shtëpi që i përkasin zonës së Zadrimës dhe të Gurit të Zi. Të pranishmit do të kenë mundësi të dëgjojnë edhe gojëdhënat mbi këtë traditë të lashtë të vendit tonë, mbi mënyrën e krijimit, epokën dhe aftësinë e grave shqiptare për të përcjellë në shekuj traditën duke ruajtur origjinalitetit e stofrave të thurura prej tyre.

Programi i plotë i Festivalit Ndërkombëtar të Gojëdhënave Popullore – Torino 2010

 

Rudina Arapi, degustatorja më e mirë në Firence

Karta e qëndrimit: në dhjetor me test gjuhe