in

Shqipëria në flakë. Vetëm sot 15 zjarre nga Jugu në Veri

Por drejtori i përgjithshëm  i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, deklaron se “situata është nën kontroll”

Tiranë, 22 gusht 2012 – 15 vatra zjarresh raportohen vetëm gjatë ditës së sotme në të gjitha prefekturat e qarqeve, mbështetur në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, në ministrinë e Brendshme.

Sipas informacionit të përcjellë nga kjo drejtori bëhet e ditur se gjatë ditës së sotme vazhdojnë të jenë aktive 6 vatra zjarri në qarkun e Dibrës, si në ekonominë pyjore Lura 1, në vendin e quajtur “Zhavori”, në Parkun Kombëtar Lura 2, në vendin e quajtur “Fusha e Pelave”, në Pllaut-Qafë Murrë, në pjesën veriore të kësaj ekonomie, në Zall-Gjoçaj, në vendin e quajtur Kodra e Tollës, në rrethin e Matit, në  malin e Bejinit dhe në Shupenzë. Zjarret janë nën kontrroll dhe vijon puna për fikjen e tyre.

Në Qarkun e Kukësit, ditët e fundit zjarret kanë përfshirë masivet pyjore të malit të Koretnikut, të bjeshkëve të Arrnit, të Malziut, të Galicës etj.

Mbi 40% të sipërfaqes së qarkut të Kukësit e zënë masivet pyjore. Kështu, në rrethin e Kukësit siëprfaqja pyjore arrin në 47 mijë ha dhe afro 14 mijë kullota, në rrethin e Hasit sipërfaqja pyjore zë 25 mijë ha, ndërsa në rrethin e Tropojës sipërfaqja pyjore zë rreth 43 mija ha.

Deri tani janë djegur rreth 190 ha pyje në shkallë qarku.

Ndërkohë problematike paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku janë aktive 5 vatra zjarri, kryesisht në rrethin e Pukës, në pyllin mbi fshatin Gojan-Gjegjan, 2 vatra në Iballë dhe 2 vatra në Qerret. Ndërsa vatra e zjarrit pranë Thethit, në rrethin e Shkodrës, u shua plotësisht.

Sipas burimeve të mësipërme mësohet se gjatë ditës së sotme u shfaq një vatër zjarri në fshatin Dhërmi, në Qarkun e Vlorës, për të cilën, pas ndërhyrjes së forcave të PMNZH-së Vlorë, po punohet për vënien e plotë nën kontroll dhe fikjen e zjarrit.

Mësohet se një 1 vatër aktive zjarri ka edhe në komunën Kthjelle, në Qarkun e Lezhës.

Por “situata e zjarreve në vend është nën kontroll pavarësisht temperatuarve të larta”, sipas drejtorit të përgjithshëm të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli.     

Lidhur me nevojën për ndërhyrje nga ajri në disa pika aktive dhe me vështirësi për t’u shuajtur nga toka Olli bën të ditur se sot i është dërguar përsëri një kërkesë për mjete ndërhyrëse nga ajri Qendrës së Monitorimit të Zjarreve në Bruksel.

Sipas tij, Drejtoria Operacionale e Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së, Shërbimit Pyjor në qarqe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore po bëjnë ç’ është e mundur për të mbajtur sa me të izoluara këto vatra zjarri, të cilat aktualisht nuk kërcënojnë qendra të banuara.

Ndërkaq, për sa i përket gjendjes logjistike të shërbimit zjarrfikës në të gjithë vendin, Olli pohon se perveç një zjarrfikëseje të re, e cila hyri në shërbim ditën e djeshme në Tiranë, priten të vijnë edhe 4 të tjera në shtator, në kuadrin e një projekti të Bankës Botërore për përmirësimin e logjistikës së shërbimit zjarrfikës në Shqipëri. (ATSh)

Furgoni përmbyset e merr flakë, vdes 51-vjeçari

Emigracioni, nderi dhe turpi