Emigracioni
“Shqipëria është një vend me një popullsi të regjistruar me mbi 4 milionë banorë, referuar të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC). Krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë, Shqipëria ka aktualisht përqindjen me të lartë të emigracionit në Evropë, por jo vetëm” shkruhet në Raport.
Në fakt nga të dhënat zyrtare të sjella në Raport më 1 janar 2013, shqiptarët e regjistruar në RKGjC janë 4.313.740. Në të njëjtën datë popullsia e Shqipërisë rezulton 2.898.782 persona, nga të cilët 8.330 janë të huaj. Kjo do të thotë se 1.423.288 shqiptarë jetojnë jashtë kufijve të vendit. Natyrisht nuk janë të gjithë emigrantë, ka mes tyre edhe të rinj e fëmijë të brezit të dytë që kanë lindur në vendet ku jetojnë prindërit e që janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri. Sipas organizmave ndërkombëtarë, emigrantët e mirëfilltë shqiptarë më 1 janar 2013 llogariten të jenë 1.252.066 vetë.
“Përgjithësisht Shqipëria vazhdon të konsiderohet si një vend origjine për emigracionin” pranohet mes të tjerash në raport ku vërehet se, sidoqoftë, “liberalizimi i vizave për shtetasit shqiptarë me vendet e zonës Schengen në fund të vitit 2010, ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e emigracionit të parregullt shqiptar drejt vendeve të BE-së”.
Sipas raportit në vitet 2011, 2012 dhe 2013 emigracioni i parregullt është ulur me 300% në krahasim me atë deri në vitin 2010. Por nëse deri në vitin 2010 arsyeja themelore e emigrimit ka qenë ekonomike, pas liberalizimit të vizave, emigracioni i paligjshëm është modifikuar disi. “Është rritur numri i kërksave për azil nga ana e të rriturve si dhe të fëmijëve në disa vende të BE-së, motivuar nga nevoja për mbrojtje nga fenomeni i gjakmarrjes apo dhe vështirësitë ekonomike në Shqipëri; si dhe emigrimi i parregullt i të miturve në disa vende të BE-së, i organizuar me ndihmën e familjes së origjinës dhe me motivin kryesor sigurimin e kushteve më të mira të jetesës” vërejnë ekspertët.
Mbështetur në analizën e të dhënave të marra nga EUROSTAT dhe Pikave të Kontaktit në disa nga Ambasadat kryesore për çështjet e migracionit, kërkesat e azilit në vendet e BE-së kanë një prirje në rritje: ishin 3.190 shqiptarë në vitin 2011, u bënë 7.336 në vitin 2012 dhe 11.047 në vitin 2013. Vendet ku shtetasit shqiptarë kërkojnë azil janë kryesisht Franca (në vitin 2013 janë paraqitur 5.065 kërkesa), Mbretëria e Bashkuar (1.620), Gjermania (1.295) Suedia (1.165), Greqia (585) dhe Belgjika (487).
Një e dhënë interesante e Raportit është ajo mbi të kthyerit. Në bazë të një studimi të kryer nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) dhe IOM në vitin 2013 mbi migracionin e kthimit dhe riintegrimin rezulton se 133.544 migrantë shqiptarë të moshës 18 vjeç dhe sipër janë kthyer në Shqipëri në periudhën 2009-2013. Ndërsa për vetëm për tre vjetët e fundit raporti vë në dukje një rritje të fortë gjatë vitit 2013 krahasuar me dy të tjerët: janë kthyer 15.227 gjatë vitit 2011, 14.762 gjatë vitit 2012 dhe 20.751 gjatë 2013-tës. Dhe gjatë të tre vjetëve, pjesa dërrmuese e të kthyerve (mbi 70%) ishin të mërguar në Greqi (p.sh. 14.537 të kthyer nga Greqia në vitin 2013). Përsa i përket të kthyerve nga Italia gjatë tre vjetëve të fundit janë rreth 4 mijë me prirje në rritje (1.053 gjatë vitit 2011, 1.301 në 2012-tën dhe 1.227 gjatë vitit 2013).
Edhe shifrat (rreth 95% e të kthyerve jetonin në Greqi e Itali) çojnë në konkluzionin se “kthimet në Shqipëri janë kryesisht pasojë e krizës financiare botërore të vitit 2009 që goditi tregun e punës në vendet kryesore të destinacionit për migrantët shqiptarë”. Megjithatë, pranohet që Raporti “nuk mundi të tregojë nëse kriza ka ndikuar në lëvizshmërinë për punë të migrantëve shqiptarë, përveç mbledhjes së disa të dhënave të kufizuara që mungesa e mundësive për riintegrim në Shqipëri mund të shërbejë si faktor shtytës për ri-emigrimin e të kthyerve”.
Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)