in

Greqia shqiptarëve: jo Selanik, por Thessaloniki

Në certifikatat që lëshohen në Shqipëri emrat e qyteteve (edhe atyre të huaja) shkruhen në gjuhën shqipe, por Greqia prej mëse një viti nuk e pranon më dokumente të tilla: kërkon që vendlindjet greke të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të shkruhen siç shqiptohen në gjuhën greke, por të konvertuara në germa latine, për shembull Thessaloniki për Selanikun

Një telash i ri duket se u ka dalë emigrantëve shqiptarë në Greqi, për diçka që në pamje të parë duket banale dhe e zgjidhshme.

Emigrantët, fëmijët e të cilëve kanë lindur në Greqi dhe veçanërisht në qytetet Selanik (greqisht Θεσσαλονiκη), Follorinë (Φλορινα), Kostur (Καστορι), Korfuz (Κερκυρα) etj, nuk po arrijnë të përtërijnë dokumentet greke të qëndrimit sepse certifikatat e lindjes së fëmijëve të lindur në Greqi, që prindërit marrin në Shqipëri e i bashkangjisin kërkesave për lejen e qëndrimit  përmbajnë emrat e qyteteve të lindjes në gjuhën shqipe, që Greqia prej mëse një viti nuk i pranon më, sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, të arritur para disa vjetësh.

Kombet e Bashkuara gjatë Konferencës për Standardizimin e Emrave Gjeografikë, kanë rekomanduar përdorimin e Katalogut të emrave gjeografikë të vendeve të ndryshme, të miratuar në New York, në vitin 1998. Sipas këtij katalogu, në dokumente zyrtare, apo harta gjeografike, të gjithë emrat e Greqisë duhet të shkruhen siç shqiptohen në gjuhën greke, por të konvertuar me germa latine: Thessaloniki për Selanikun, Kastoria për Kosturin, Florina për Follorinën, Kerkira për Korfuzin, etj. Këtë gjë duhet të bëjë edhe Shqipëria,  që e ka të zgjidhur çështjen për qytete si Athina, Katerini, Larisa, Patra etj, të cilat fatmirësisht edhe në shqip shkruhen ashtu siç e kërkon katalogu i New Yorkut.

Ajo që kërkohet nga pala shqiptare është që sa më shpejt të gjejë një zgjidhje: ose të zbatojë marrëveshjen ndërkombëtare, ose në certifikatat që lëshohen nga gjendjet civile, emrat e qyteteve greke të shkruhen në dy variantet, p.sh.: Selanik–Thessaloniki.

Siç vepron Turqia që i shkruan emrat e qyteteve në të dyja variantet dhe shtetasit turq nuk hasin kurrëfarë problemi me dokumentet e tyre. Kjo do të zgjidhte mjaft probleme, në kohë, shpenzime dhe mundime për emigrantët shqiptarë, të cilët prej muajsh vërtiten sa në Shqipëri, sa në Greqi, nga një zyrë gjendjeje civile në tjetrën, sa në përfaqësitë shqiptare në Greqi e sa në ministrinë e Jashtme në Tiranë, por e vetmja përgjigje që marrin është se “kjo çështje u takon qeverive të dy vendeve”.

Me këtë anomali që ka pezulluar nxjerrjen e certifikatave, fëmijët e emigrantëve nuk përtërijnë dot dokumentet e qëndrimit në Greqi, nuk regjistrohen dot në shkolla apo universitete. Edhe prindërit e tyre nuk kryejnë dot procedurat e rinovimit të lejeve të qëndrimit, pasi i njëjti problem konstatohet edhe në certifikatat familjare, ku shkruhet në gjuhën shqipe emri i qytetit të lindjes së fëmijëve.

Shoqata e emigrantëve shqiptarë në Greqi “Nënë Tereza” ka ngritur zërin duke çuar ankesa në Ministrinë shqiptare të Punëve të Jashtme, por s’ka asnjë përgjigje dhe asnjë ndryshim nuk ka ndodhur.

Tani shqiptarët në Greqi i kanë sytë nga takimi që do të ketë pas pak ditësh ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti me homologun grek, Dimitris Avramopulos në Athinë. Emigrantët shpresojnë që veç çështjeve si kufijtë detarë apo gazsjellësi TAP, të diskutohet edhe kjo çështje që po u vështirëson jetën mijëra bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë në Greqi.

Anila Jole, Balkanweb

Sanatoria “Dyer të mbyllura për të huajt me punë të pavarur apo atipike”

Italia ndihmon Shqipërinë me dy avionë kanadair