Komisioni i Jashtëm i Kuvendit ratifikoi marrëveshjet dypalëshe me Maqedoninë dhe Malin e Zi për lëvizjen e shtetasve pa vizë e pa taksë
Tiranë, 1 shkurt 2012 – Komisioni i Jashtëm parlamentar miratoi të martën ratifikimin e dy marrëveshjeve të veçanta dypalëshe “për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”, përkatësisht me vendet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Marrëveshjet e mësipërme parashikojnë lëvizjen pa taksa dhe pa viza për shtetasit e të dy vendeve. Në kuadrin e kësaj marrëveshjeje, shtetasit kanë mundësi të lëvizin ndërmjet dy shteteve me pasaportën biometrike.
Marrëveshja është propozim i palës shqiptare, e cila gjatë presidencës rajonale Iniciativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI) në vitin 2010, hodhi idenë e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë në Ballkan, të një Shengen-i ballkanik.