KREDIA PËR BLERJEN E SHTËPISË
Një shtëpi në Itali kushton nga disa dhjetëra mijëra në qindra mijëra euro. Çmimi është shumë i ndryshëm nga qyteti në qytet, por edhe nga periferia në qendër Brenda të njëjtës zonë urbane. Kështu, nëse në qendër të Cremonës mund të gjesh shtëpi për njëmijë euro për m2, në afërsi të qendrës në Romë apo Milano çmimi për m2 shkon në 6-7 mijë e më shumë.
Duke qenë se flitet për shuma të konsiderueshme, shpesh për blerjen e shtëpisë kërkohet një hua në një institut kreditor, kryesisht banka. Lidhet kështu një kontratë kredie, falë të cilës banka jep një shumë të parave për të cilat marrësi angazhohet t’i paguajë me këste për shumë vite. E për t’u siguruar se ai do të paguajë borxhin, banka vendos hipotekë mbi banesën e blerë.
Nëse sipas bankës, të ardhurat e blerësit nuk janë të mjaftueshme për të paguar këstet e kredisë, atëherë, ajo kërkon edhe garancinë e një personi tjetër apo të një subjekti, që të angazhohet konkretisht, me të mirat e tij materiale, për shlyerjen e borxhit nëse kush merr kredinë nuk kthen mbrapsht paratë. Vendosja e hipotekës mbi banesën, i lejon bankës, në rastin kur nuk paguhen këstet e kredisë, të bëhet pronare e shtëpisë, dhe më pas ta shesë atë me qëllim që të mbledhë shumën e kredisë që nuk i është paguar.
Edhe në marrjen e kredisë, për shtëpinë e parë ka disa lehtësime: interesat janë më të ulëta se ato që bankat kanë kur japing para borxh për motive të tjera.
Ashtu si kontrata e shitblerjes së shtëpisë, edhe kjo e marrjes së kredisë nënshkruhet nga marrësi dhe një përfaqësues i bankës para një noteri që e regjistron.
Çfarë kërkon banka?
Për të miratuar dhënien e kredisë, banka dëshiron të kontrollojë kapacitetin ekonomik të personit ndaj i kërkon atij:
– deklaratën e të ardhurave;
– garanci personale ose nëpërmjet të mirave të tua materiale;
– ndonjëherë edhe derdhjen çdo muaj të pagës në bankë.
Ja çfarë përcaktohet në kontratën e kredisë:
– kohëzgjatja e kthimit të kredisë që shkon nga 5 deri në 30 vjet e varet nga shuma e mosha e atij që kërkon kredinë;
– lloji i normës së interesit të kredisë: mund të jetë fikse ose i ndryshueshme në kohë;
– vlera e normës së interesit të kredisë. Normat e interesave kanë skadenca të ndryshme, mujore, tremujore, vjetore. Ato përcaktohen duke u bazuar mbi tregues të referimit që botohen në shtypin e përditshëm, EURIBOR, EUIRS, të cilëve u shtohet edhe një shumë e vendosur nga vetë banka që quhet SPREAD;
– plani i kthimit të të hollave dhe shuma e këstit;
– shuma e penalitetit nëse vendoset të shlyhet kredia para afatit.