in

Shtëpi, e shtrenjta shtëpi – Blerja

LEHTËSIMET FISKALE PËR SHTËPINË E PARË

Kur blihet shtëpia e parë në Itali, në të cilën do të jetohet, mund të përfitohet nga një regjim fiskal i lehtësuar, pra të paguhen tatime në një masë më të ulët nga ato që paguhen zakonisht për blerje pasurish të patundshme.

Për zbritjet nga tatimet dallohen dy raste:

Kur shtëpia blihet nga një privat, nuk paguhet IVA (tatimi mbi vlerën e shtuar).

Lehtësimi fiskal konsiston në mundësinë e pagimit të tatimit të regjistrimit në masën e reduktuar 2% dhe jo në masën 9%. Tatimi që duhet paguar llogaritet mbi vlerën kadastrale të pasurisë së patundshme, apo e thënë ndryshe vlera që rezulton nga shumëzimi i rentës kadastrale, të rivlerësuar me 5%, të shumëzuar me koeficientin ligjor 110.

Shembull: Nëse renta kadastrale është 900 euro, vlera kadastrale e saj si shtëpi e parë do të jetë 900×1,05×110 =103.950,00 euro

Veç kësaj, paguhet edhe tatimi i hipotekës dhe ai i kadastrës që janë një shumë fikse prej 50 euro secila.

Kur shtëpia blihet nga një ndërmarrje ndërtimi, brenda katër vjetëve nga përfundimi i punimeve, duhet paguar IVA 4% (në vend të 10 apo 22% në rastet kur nuk është fjala për shtëpi të parë). Veç këtij tatimi, paguhet edhe  ai i regjistrimit, i hipotekës dhe i kadastrës, secilin në masën fikse prej 200 eurosh.

Kriteret për përfitimin e lehtësimeve fiskale:

Duhet verifikuar para së gjithash që banesa nuk ka karakteristikat e një ndërtese luksoze e nuk bën pjesë në kategoritë kadastrale A1, A8 apo A9. Kategoritë kadastrale për të cilat përfitohen lehtësimet fiskale për shtëpinë e parë janë A2, A3, A4, A5, A6, A7 dhe A11.

Banesa duhet të gjendet në komunën ku blerësi ka rezidencën apo ku angazhohet ta marrë brenda 18 muajve nga blerja e shtëpisë.

Në aktin e shitblerjes blerësi duhet të deklarojë që:

– nuk ka pronësinë, përdorimin gjatë gjithë jetës tënde (usufrutto), të një shtëpie tjetër në territorin e Komunës ku gjendet shtëpia që po blen;
– nuk gëzon në Itali të drejta prone, përdorimi, përdorimi të përjetshëm, pronësie të ardhshme pas vdekjes së pronarit të tanishëm (nuda proprietà), mbi ndonjë tjetër shtëpi të blerë me të njëjtat lehtësime fiskale.

Kujdes: Përfitimet fiskale i humbet nëse deklarimet e bëra në aktin e blerjes rezultojnë të rreme; dhe nëse shet apo dhuron banesën brenda pesë vjetëve të parë nga data e blerjes, me përjashtim të rastit kur brenda vitit blen një tjetër për ta pasur si banesë kryesore.

Përgatiti Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Punonjësit sezonalë, udhëzues për kërkesat online të flukseve 2016

Shtetësia italiane. Orare të reduktuara për informacionet e ministrisë