“Mirëmbajtje e jashtëzakonshme” edhe për të gjithë ditën e sotme për uebsajtin e ministrisë së Brendshme. Javët e shkuara ka pasur jo pak probleme
Romë, 4 janar 2017 – Dëshironi të aplikoni për shtetësinë italiane? Të sillni në Itali dikë me bashkim familjar apo të prenotoni testin e gjuhës të domosdoshëm për të kërkuar kartën e qëndrimit? Edhe sot bëni mirë të mos u hyni këtyre punëve. Ndoshta nga nesër gjërat do të jenë regulluar.
Ato e të tjera praktika imigracioni e shtetësie tashmë bëhen vetëm online por portali i ministrisë së Brendshme përmes të cilit aplikohet, përkohësisht nuk është në funksion. “Për arsye mirëmbajtjeje të jashtëzakonshme – shpjegon mesazhi në faqen e parë – shërbimi nuk do të jetë i disponueshëm as për të gjithë ditën e 4 janarit 2017”.
Departamenti i Lirive Civile dhe Imigracionit të ministrisë së Brendshme ka lajmëruar javën e shkuar për pezullimin e shërbimit të gjitha patronatet e komunat që ndihmojnë falas imigrantët në përpilimin e kërkesave. Ndërsa agjencitë e shërbimeve, konsulentët apo ata që paraqesin personalisht kërkesat e kanë zbuluar dje duke u lidhur me sajtin.
Javët e shkuara portali i ministrisë së Brendshme ka funksionuar keq: faqe që nuk hapeshin, lidhje që binin e të dhënat e futura që zhdukeshin papritur duke shkaktuar probleme për të huajt që duhet të paraqisnin kërkesat por edhe për operatorët e sporteleve që u vijnë në ndihmë. Përpara krishtlindjeve, patronatet e Ce.Pa. i kishin shkruar ministisë duke i kërkuar të merrte masa sa më shpejt.
“Mirëmbajtja e jashtëzakonshme” dukej e pashmangshme. Tani të shpresojmë që nga nesër gjërat do të jenë vënë në vijë.
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com