Kryetari i Dhomës: “Temë e pashmangshme”. Turco (PD): “Të gatshëm për përballjen në këtë aspekt. Kush lind në Itali është italian”. Cicchitto (PdL): “Këshilloj me këmbëngulje të largohen nga ky terren”. Lega, si gjithnjë: “Do të ngremë barrikadat”
Romë, 27 janar 2012 – Një “çmenduri” t’u mohosh shtetësinë fëmijëve të lindur në Itali nga prindër të huaj? “Mbështes këtë shprehje kaq të fuqishme të kreut të shtetit dhe uroj që në këtë legjislaturë Parlamenti të ndërhyjë mbi ligjin që disiplinon shtetësinë” ka thënë të premten, më 27 janar, në një intervistë për “Repubblica TV” kryetari i Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini.
“Është një çështje mbi të cilën ka mendime të kundërta, ndaj parashikoj debat të ashpër. Por mendoj se në çastin kur Italia përballet me temën e integrimit, çështja e shtetësisë është e pashmangshme” thotë Fini. Për kryetarin e Dhomës së Deputetëve duhet “të bëhet e mundur e drejta e shtetësisë për ata që lindin në Itali, flasin gjuhën italiane e ndjekin një cikël studimi”.
Qeveria Monti – shton kryetari i Dhomës së Deputetëve – ka pasur një ndjeshmëri e madhe, ka ngritur për të parën herë në historinë republikane, një ministri për Integrimin. Me të drejtë nuk ka futur temën e shtetësisë në horizontin e qeverisë së tij – përfundon Fini – por besoj se, sidoqoftë, Parlamenti duhet thotë fjalën e tij, të japë një sinjal”.
Partia Demokratike, përgjigjet Livia Turco, është e gatshme: “Riformimi i ligjit të shtetësisë është një betejë që çojmë përpara prej vitesh. “Kush lind në Itali është italian” është një nga pikat kyçe të programit të PD-së. Kam nxitur forca të ndryshme politike në Parlament të bashkohen e të shkruajnë së bashku një tekst të ri që të jetë i drejtë dhe i logjikshëm. Për t’iu përgjigjur pritshmërisë së rreth një milion të rinjve që të lindur e të rritur në vendin tonë ndihen plotësisht italianë por vazhdojnë të mos gëzojnë këtë të drejtë për arsyen e thjeshtë që në vendin tonë është ende në fuqi një ligj tashmë anakronik”.
“Ne – nuk lodhet së përsërituri Livia Turco – jemi të gatshëm të përballemi në këtë pikë. Kemi depozituar rreth dy vjet më parë propozimin tonë për riformimin e ligjit të shtetësisë. Vëmendja e madhe jo vetëm nga pala politike por edhe nga shtypi na lë të shpresojmë që së shpejti të mund të modifikohet ligji i tanishëm”.
Por problemi qëndron të bindet ajo pjesë e Popullit të Lirive që është e ndjeshme ndaj temës së brezëve të dytë dhe që nuk e sheh veten të inkuadruar në linjën e diktuar deri më sot nga krerët e partisë. Kryetari i grupit të deputetëve PDL Fabrizio Cicchitto tha se “Parlamenti mund të japë një sinjal mbi ligjin që disiplinon shtetësinë nëse ka një konsensus mbi këtë çështje që deri tani nuk e shoh. Këshilloj me forcë qeverinë t’i qëndrojë larg kësaj çështjeje në mungesë të një mirëkuptimi paraprak, me qëllim që të mos shtojë arsyet për kontrast në një situatë të nderë e delikate si kjo e sotmja”.
Asnjë shpresë që Lega të ndryshojë mendim. Sipas nënkryetarit të deputetëve të saj, Alessandro Montagnoli, “Gianfranco Fini nuk është me këmbët në tokë. Me gjithë problemet që kemi, është vërtet absurde që të mendohet në këtë çast të ndryshohet ligji i marrjes së shtetësisë. Është e qartë për të gjithë që Fini me shokë duan vetëm votën e imigrantëve. Shtetësia është gjë serioze. Lega e Veriut – premton – do të ngrejë barrikada: ne mbrojmë njerëzit tanë, pensionistë tanë, punonjësit tanë që vijnë e duhet të vijnë përpara imigrantëve”.