Kanë kaluar dy vjet që kam paraqitur kërkesën për shtetësinë italiane dhe në faqet internet lexoj akoma që praktika është në fazë vlerësimi. Çfarë mund të bëj?
Nëse kanë kaluar 2 vjetët e parashikuara nga normativat në fuqi për përmbylljen e praktikës, me dhënien e shtetësisë apo mohimin e saj, i huaji mund t’i nisë letër (sollecito) administratës publike për t’i kërkuar asaj përmbylljen e praktikës së tij.
Në bazë të ligjit 241/90 mbi normat e çështjeve të procedurave administrative dhe të drejtës së kontrollit të dokumenteve administrative, është e mundur që brenda një viti nga përfundimi i dy vjetëve pa marrë përgjigje, t’i niset një letër ankese (diffida) administratës publike për mospërmbushje të detyrës e për të kërkuar sqarime.
I interesuari mund të përgatisë e të nisë personalisht këtë letër pa qenë e nevojshme t’i drejtohet një avokati, i cili është i domosdoshëm në rast se ai vendos t’i drejtohet gjykatës.
Duhet mbajtur parasysh se me qarkoren 6415/2011 ministria e Brendshme ka pohuar që një vonesë e mundshme e Prefekturës në lëshimin e dekretit të pranimit apo jo të kërkesës, nuk nënkupton pranimin apo hedhjen poshtë të saj. Në këtë rast mund t’i kërkohet Gjykatës Administrative Krahinore (TAR) të Lazios të detyrojë administratën publike të marrë vendimin mbi pranimin apo refuzimin e kërkesës së shtetësisë.
Kjo do të thotë që nëse i huaji fiton gjyqin në TAR, kjo fitore nuk do të thotë që automatikisht ai merr shtetësinë, por vetëm që TAR detyron ministrinë e Brendshme të përmbyllë praktikën.
E thënë ndryshe, duke qenë fjala për shtetësi për rezidencë, pra për një instancë natyralizimi, i interesuari nuk mund të pretendojë dhënien e shtetësisë pasi, sipas ligjit, nuk flitet për një të drejtë të fituar por për një “dhënie” në favor të qytetarëve të huaj që kanë treguar se kanë pasur një sjellje e nivel integrimi të mirë në shoqërinë italiane. Dhe jo vetëm kaq. Edhe të ardhurat e shlyerja e detyrimeve fiskale kanë rëndësi në çastin e kërkimit të dhënies së shtetësisë italiane.
Kështu që lëshimi i dekretit të shtetësisë varet nga një vlerësim i gjerë, në të cilin përmbushja e kritereve të parashikuara me ligj janë vetëm një parakusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për dhënien e shtetësisë italiane.
In italiano: Cittadinanza per residenza. Cosa fare se la risposta non arriva?
Maria Elena Arguello
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)