in

Shtetësia italiane. Çfarë është betimi me të cilin bëhesh italian?

Sot më mbërriti dekreti i dhënies së shtetësisë. Ç’duhet të bëj tani?

4 korrik 2016 – Pasi praktika e shtetësisë mbyllet me sukses, autoritetet italiane kompetente lëshojnë dekretin e dhënies së shtetësisë italiane që duhet t’i lajmërohet të interesuarit brenda 90 ditëve nga përcjellja e dekretit në Prefekturë.

Kur i interesuari ka në dorë dekretin, duhet të paraqitetnë Komunën e rezidencës për të bërë betimin e besnikërisë ndaj Republikës italiane. Formula që duhet thënë është: “Giuro di essere fedele alla Repubblica e di osservare la Costituzione e le leggi dello Stato“, që në shqipe do të thotë: “betohem se do t’i jem besnik Republikës dhe do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Shtetit”.

Duhet mbajtur parasysh që nëse betimi nuk bëhet brenda gjashtë muajve, dekreti nuk është më i vlefshëm e i interesuari duhet të paraqesë nga fillimi kërkesën e shtetësisë, duke paraqitur nga e para të gjitha dokumentet, edhe ato që merr në vendlindje.

Çdo komunë parashikon një rrugë që duhet ndjekur, dokumentacionin që duhet paraqitur dhe kostot që duhen mbuluar për të bërë betimin. Është e rëndësishme që i interesuari të informohet në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës së tij për datat në dispozicion për betimin, për kostot e pullë-taksat që duhet të çojë si edhe dokumentacionin, në origjinal e fotokopje, që duhet të ketë me vete ditën e betimit.

Në përgjithësi, për të bërë betimin, i interesuari duhet të paraqitet në Zyrën e Gjendjes Civile, duke pasur me vete dekretin e dhënies së shtetësisë, lejen e qëndrimit dhe dokumentin e identitetit. E nëse ka fëmijë të mitur të lindur jashtë Italisë, efektivisht bashkëjetues me kërkuesin e shtetësisë, do të jetë e nevojshme të ketë edhe lejet e qëndrimit të tyre si edhe certifikatat e tyre të lindjes të legalizuara për përdorimin e tyre në Itali (për certifikatat shqiptare nevojitet pulla apostille) dhe të përkthyera në italisht me legalizimin e përkthimit. Me këtë hap të fundit, shtetësia italiane u njihet edhe bijve të mitur bashkëjetues me prindin që bëhet italian.

Betimi nuk është gjë tjetër veçse çasti kur i huaji angazhohet, përmes leximit të formulës së betimit, se do të respektojë të gjitha detyrimet e bëhet mbartës i të drejtave që u njihen shtetasve italianë. Të gjithë shtetasit italianë janë të barabartë përpara ligjit, pavarësisht faktit se janë italianë që nga lindja apo janë natyralizuar të tillë.

Nga e nesërmja e betimit i huaji bëhet italian e mund të shkojë në Komunë për të ndërruar kartën e identitetit, të dorëzojë në Kuesturë dokumentin e qëndrimit e të kërkojë pasaportën intaliane në Policinë e shtetit. Ndonjëherë, kur mbiemri ndryshon me marrjen e shtetësisë italiane (grave u njihet shtetësia me mbiemrin e vajzërisë edhe pse kanë pasur deri në atë çart atë të bashkëshortit), është e nevojshme të shkohet edhe në Agjencinë e tatim-taksave (Agenzia delle Entrate) për të kërkuar korrigjimin e kodit fiskal.

In italiano: Cittadinanza. Come funziona il giuramento per diventare italiani?

Maria Elena Arguello
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Grabitja në Rinas. Arrestohen pesë persona

Grabitja në aeroportin e Rinasit. Filmimet e kamerave të sigurisë