Mbi 7 mijë amendamentet e paraqitura në Komisionin për Çështjet Kushtetuese, pjesa dërrmuese nga Lega. Tani i takon mazhorancës të kapërcejë obstrukcionizmin e atyre që nuk duan që bijtë e imigrantëve të jenë italianë
Romë, 28 prill 2016 – “Do të ngremë barrikada kundër reformës së shtetësisë”, kishin thënë Lega e Veriut dhe Forza Italia. Me keqardhje për bijtë e imigrantëve, duhet thënë se e mbajtën fjalën.
Diskutimi i përgjithshëm në Komisionin për Çështjet Kushtetuese u mbyll më 3 shkurt, dhe u pasua, më 30 mars dhe 12 prill, nga një cikël seancash dëgjimore informale të marrë mendimin e ekspertëve dhe të shoqatave mbi normat e reja për t’u bërë italianë. Më në fund topi i kaloi sërish senatorëve, që duhet të paraqitnin amendamentet për tekstin e miratuar tetorin e shkuar në Dhomën e Deputetëve.
Kishin kohë deri dje në orën 13:00 dhe rezultati është që ka një mal me amendamente, 7 mijë, pjesa më e madhe e të cilave të paraqitura nga legistët. Do të duhet kohë edhe vetëm për t’i sistemuar e për t’i botuar online, për t’i shqyrtuar e votuar nuk do të mjaftonte kjo legjislaturë e një tjetër. Çfarë thotë secili amendament, tani kalon në plan të dytë, në fund të fundit të gjitha amendamentet kanë të njëjtën frymë: qendra e djathtë nuk e do reformën.
Shumë nga ato amendamente, thuajse identike mes tyre e ndryshijnë për një presje apo fjalë të ndërruar me një sinonim, do të bien si të papranueshme, dhe këtë e ka në dorë presidenca e Komisionit, por do të mbeten gjithsesi në nummër të mjaftueshëm për të penguar ecurinë e reformës dhe në atë pikë do t’i takojë mazhorancës të ndërmarrë kundërmasat.
Mjetet për kapërcimin e obstrukcionizmit ekzistojnë në rregulloret e praktikën parlamentare, nga kalendarizimi i detyrueshëm deri te maksi-amendamentet mbi të cilët qeveria kërkon votëbesim. Janë skenarë që nuk mund të mos hipotizohen nëse duam vërtet që brezat e dytë të kenë një shanc.
Nuk do të jenë ato 7 mijë amendamente që do të vrasin reformën, me kusht që ata që deri më sot kanë thënë se do ta çojnë atë deri në fund, të mos mbrapsen.
Elvio Pasca