in

Shtetësia italiane. Tregu i zi i kërkesave online, matrapazët në festë

Në shtëpi apo në agjenci të sajuara, “ekspertë” të çuditshëm po japin ndihmesë me pagesë. Në rrezik privatësia dhe siguria. Ndërkaq, patronatet akoma nuk mund të ndihmojnë falas

Romë, 15 qershor 2015 – Të bëhesh italiane kushton. Por ka edhe nga ata që fitojnë: Shteti, shumë profesionistë seriozë, por edhe batakçinj të paskrupujt, që kalojnë nëpër duar të dhëna të ndjeshme e dokumente personale që nuk dihet ku mund të përfundojnë.

Le t’i marrim gjërat me radhë. Edhe tani qëkërkesat paraqiten online (e pas pak ditësh, nga 18 qershori, ky do të jetë kanali i vetëm në dispozicion për të kërkuar shtetësinë) praktikat e shtetësisë kanë kosto të konsiderueshme: pullë-taksës klasike 16,00 €, i duhet shtuar edhe kontributi i detyrueshëm prej 200,00 €, shuma që nuk kthehen edhe nëse kërkesa hidhet poshtë. Por janë edhe kostot, shpesh akoma më të larta, për nxjerrjen  dokumenteve në vendlindje. E kush dëshiron të bëhet italian, shtrëngon rripat e paguan.

Por duhet përpiluar edhe kërkesa. Kush nuk është i zoti me kompjuterin e internetin, apo sidoqoftë, nuk dëshiron të gabojë një procedurë kaq delikate, duhet të kërkojë ndihmë. Patronatet, që ndihmojnë falas imigrantët për përtëritjet e lejeqëndrimeve, bashkimet familjare e praktika të tjera, në këtë rast nuk bëjnë dot gjë: mungon një marrëveshje me ministrinë e Brendshme ndaj edhe operatorët e tyre nuk kanë autorizimet për të hyrë në sistem.

Por sidoqoftë, disa patronate kanë vënë edhe kompjutera në dispozicion të të interesuarve ku me ndihmën e një operatori secili mund të nisë kërkesën online, por, me regjistrimin online dhe konfirmimin me email, puna është ngadalësuar shumë, e më pas për të ndjekur praktikën nuk është e thjeshtë. Për më tepër, duhet marrë takim, e datat e takimit po shtyhen gjithnjë e më tej.

Kujt dëshiron të bëhet italian nuk i mbetet tjetër veçse të kërkojë ndihmesë me pagesë.

Tashmë Italia është plot me avokatë dhe konsulentë të specializuar në imigracion, me kompensime jo gjithnjë të pranueshme nga kushdo. Ka edhe shumë agjenci serioze, me tarifa të ndryshme, sipas shërbimit e qytetit. “Për 250 euro, ne paraqesim kërkesën e më pas e ndjekim, nisim edhe letra për të kërkuar përshpejtim të praktikës, pot ë jetë e nevojshme” thonë për Stranieriinitalia nga një agjenci në Romë. Një tjetër agjenci e të njëjtit grup në Caserta bën të njëjtën gjë për 150 euro, por këshillon: “deri më 18 qershor është më mirë të paraqitet kërkesa dorazi në Prefekturë”.

Deri këtu nuk ka asnjë problem. Ky është tregu, i dashur! Unë të ndihmoj ti më paguan. Por të garantoj një shërbim profesional. E mbi të gjitha, të ndihmoj të paraqesësh kërkesën për shtetësinë, pra edhe të nxjerrësh nga xhepi 216,00 euro për kontributin e pullë-taksën, vetëm nëse i përmbush të gjitha kriteret. Madje të siguroj edhe që skanerizimet e dokumentit të identitetit, të certifikatës së lindjes dhe të dëshmisë së penalitetit që i duhen bashkangjitur kërkesës, do të shkatërrohen menjëherë pas nisjes së saj.

Problemi qëndron tjetërkund. “Shumë qytetarë na kanë sinjalizuar këto ditë që imigrantë të tjerë kanë kuptuar që mund të bëhen para dhe janë organizuar. Kanë blerë një skaner dhe përgatisin praktikat nga shtëpitë e tyre, për 150 – 200 euro, ose duke u mbështetur në të vetëquajtura agjenci që lindin e zhduken brenda pak ditëve, por në këto raste çmimi shkon edhe në 500 euro” denoncon Anna Rosa, përgjegjëse e Qendrës Punonjësit e Huaj të Dhomës së Punës në Bolonjë.

Po pse t’u drejtohesh këtyre ndërmjetësve apo agjencive të dyshimta kur profesionistët e agjencitë serioze kushtojnë ndoshta edhe më pak? Në rastin më të mirë sepse u besohet më shumë imigrantëve të tjerë, në më të keqin sepse profesionistët dhe agjencitë serioze nuk trajtojnë kërkesa që nuk përmbushin kriteret, matrapazët që duan si e si të fitojnë prej teje as duan t’ia dinë për faktin që kërkesa jote as që do të merret në konsideratë.

“Nëse kërkesa hidhet poshtë sepse nuk përmbusheshin kushtet, i interesuari nuk mund të shkojë t’i kërkojë llogari matrapazëve. Natyrisht, nuk lëshojnë kupon që të dëshmojë “ndihmesën” e dhënë, shpesh mbyllin “agjencitë” e tyre e zhduken pa lënë gjurmë” nënvizon Rosa. “Kush na sinjalizon këto situate nuk dëshiron të thotë emra, nuk na thonë as ç’kombësi kanë këta persona, sikur kanë frikë prej tyre”.

Edhe në Torino shtetësia italiane është kthyer në një biznes, me tarifa të ndryshme që në pamje të parë duken më konkurruese. “Çmimet shkojnë nga 20 euro për regjistrimin në portalin e ministrisë së Brendshme deri në 100 euro për përpilimin dhe nisjen e kërkesës. Ndërmjetësit u japin klientëve një çelës usb me kopjen në format pdf të kërkesës dhe të të gjitha dokumenteve të skanerizuara. Po origjinalët ku shkojnë?” ngre pyetjen Mohammad Reza Kiavar, bashkëpresident i Anolf të Torinos.

Anolf dhe shoqatat e tjera të sindikatave po paralajmërojnë të huajt të ruhen, por pa rezultat. “Kush ofron shërbimin – shpjegon Kiavar – justifikon koston me kohën që humbet për të paraqitur kërkesën e atyre që paguajnë u duket e drejtë, nuk e perceptojnë si dëm. Rreziku se nuk kontrollojnë mirë përmbushjen e kritereve dhe problemet që kanë të bëjnë me privatësinë dhe sigurinë nuk duket se u interesojnë shumë”.

Si dilet nga kjo situatë? Vetëm nëse ministria e Brendshme, me anë të një protokolli mirëkuptimi, autorizon patronatet të përpilojnë falas kërkesat, ndonjë peshkaqeni do t’i hiqej shumë nga ujërat ku noton. Por marrëveshja po vonon e, ndërkaq, biznesi i matrapazëve të shtetësisë shkon më së miri.

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ditari i piktorit Gjergj Kolës, ekspozitë në Fano

Lind Shqiptarët në Romë, komuniteti më i ri Migreat