in

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. Dhoma e Deputetëve miraton reformën

Montecitorio miraton reformën e shtetësisë italiane për të lindurit ose të rriturit në Itali. Tani teksti i kalon Senatit. Ja si do të ndryshojnë normat për t’u bërë italian.

Romë, 13 tetor 2015 – Ditë historike kjo e sotmja për bijtë e imigrantëve në Itali, të ashtuquajturit breza të dytë të konsideruar padrejtësisht të huaj. Dhoma e Deputetëve miratoi sot reformën që do të thjeshtojë goxha e do të përshpejtojë rrugëtimin për marrjen e shtetësisë italiane.

Votuan në favor të refformës Partito Democratico, Area Popolare (Ncd-Ucd), Per l’Italia – Centro Democratico, Scelta Civica dhe Sinistra Ecologia Libertà. Lega e Forza Italia votuan kundër, kurse Movimento 5 Stelle abstenoi.

Teksti që bashkon parimet e ius soli-t të zbutur me ius culturae, tani do të kalojë në Senat dhe nëse atje do të miratohet pa modifikime, më në fund do të kthehet në ligj.

Ja pikat kryesore të tekstit të sapomiratuar në Dhomën e Deputetëve:

Fëmijët e lindur në Itali do të jenë italianë që kur vijnë në jetë nëse një prej prindërve ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë ose “të drejtën e qëndrimit të përhershëm” (nëse janë shtetas të BE-së). Përndryshe, ashtu si fëmijët e tjerë që nuk kanë lindur në Itali por kanë ardhur këtu pa mbushur 12 vjeç, do të duhet të ndjekin më parë një apo më shumë cikle shkollore për të paktën pesë vjet e po të jetë fjala për filloren, duhet ta mbarojnë me sukses.

Për fitimin e shtetësisë do të nevojitet një “deklaratë dëshire” e paraqitur në Komunë nga prindërit, para mbushjes së moshës madhore të fëmijës, përndryshe ky mund ta paraqesë vetë nga mosha 18 deri në 20 vjeç. Gjithnjë në këtë moshë (nga 18 deri në 20 vjeç) i interesuari mund edhe të heqë dorë nga shtetësia italiane, me kusht që të ketë një tjetër.

Të tjera rregulla për të rinjtë që kanë ardhur në Itali brenda moshës 18 vjeçare. Do të mund të bëhen italianë pas gjashtë vjetësh rezidencë të rregullt dhe pasi të kenë ndjekur dhe përfunduar një cikël shkollor apo një rrugëtim shkollimi dhe formimi profesional. Por në këtë rast nuk flitet për një të drejtë të fituar, por për një dhënie shtetësie, pra që i nënshtrohet diskrecionalitetit të Shtetit.

Në tekst ka edhe një normë kalimtare për ata që sot i kanë mbushur 20 vjeç, dhe që ndërkohë i plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji i ri. Në fakt, do të mund të bëhen italianë të lindurit në Itali ose të ardhurit kur ishin nën moshën 12-vjeçare, nëse kanë ndjekur këtu për të paktën pesë vjet një apo më shumë cikle shkollore e kanë jetuar “në mënyrë të ligjshme e të pandërprerë gjatë pesë vjetëve të fundit në territorin italian”. 

Kush hyn në këtë kategori për të cilën është e vlefshme norma kalimtare, do të ketë vetëm një vit kohë nga ardhja në fuqi e reformës për të paraqitur në Komunë “deklaratën e dëshirës” për t’u bërë italian. Më pas do të duhet të presë që brenda gjashtë muajve ministria e Brendshme të japë pëlqimin e saj, pasi kjo të ketë verifikuar që në ngarkim të kërkuesit të shtetësisë në të kaluarën të mos ketë pasur mohim të shtetësisë, dëbim apo largim me forcë nga Italia për motive të sigurisë kombëtare.

EP

Lexo edhe:
Teksti i plotë i reformës së shtetësisë (në italisht) i miratuar në Dhomën e Deputetëve

 

Serie A: “Urime mister De Biasi”

“Vendi përballë” i parë nga Salento (Foto)