in

Shtohen taksat, ndrydhen të drejtat

Me paketën e sigurisë dhe dekretin anti-krizë, emigrantët do ta kenë përditë e më të vështirë jetesën dhe integrimin në Itali

Nëse është e vërtetë që koha e mirë duket që në mëngjes, mund të themi me plot gojën që ky vit nuk po sjell asgjë të mirë për emigrantët në Itali. Që politika do të fillonte këtë vit me shqyrtimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë edhe me të huajt ishte pak a shumë e ditur, pasi parlamenti do të fillonte punimet me shqyrtimin e dekretit të ligjit mbi sigurinë, në të cilin shumë pika sjellin ashpërsime të mëtejshme të ligjit mbi imigracionin. Por që të kërkohen para nga emigrantët për çdo hap që hedhin, kjo është e papranueshme. Por jo e pamundur, veçanërisht për Legën. Do të marrësh lejen e qëndrimit? Paguaj, nga 10 deri në 400 euro, përveç 72,12 eurove që paguan deri tani. Kërkon të marrësh shtetësinë italiane? Paguaj 200 euro. Do të punosh më vete e të hapësh një ‘partita IVA’? Lidh një sigurim fidejuksioni prej 10 mijë eurosh (i vetmi amendament që u hodh poshtë). Do të sjellësh prindërit mbi 65 vjeç në Itali, por vetëm nëse nuk ke vëllezër në atdhe? Paguaj për ta sigurimin shëndetësor. Je klandestin në Itali? Paguaj një gjobë nga 5.000 deri në 10.000 para se të dëbohesh nga Italia.

Në Itali diskutohet dekreti i ashtuquajtur ‘pacchetto sicurezza’, dhe penalizohen të huajt; diskutohet dekreti anti-krizë, dhe studiohet se si të nxirret ndonjë euro më shumë nga xhepat e emigrantëve.

Po le t’i shohim me radhë të rejat që po hyjnë në fuqi e të tjera që qeveria e qendrës së djathtë po përpiqet të sjellë, e ndikuar veçanërisht nga Lega.

Nga nëntori i vitit të shkuar kanë hyrë në fuqi edhe shtrëngimet për bashkimet familjare. Janë rritur të ardhurat e nevojshme për të kërkuar ardhjen e një familjari në Itali, është bërë thuajse i pamundur bashkimi me prindërit e moshuar dhe është vështirësuar ai me bijtë në moshë madhore etj.

Që nga 1 janari 2009, për marrjen e pensionit social të huajt duhet të plotësojnë jo vetëm kushtet e mëparshme – të kenë rezidencë efektive në Itali, kartë qëndrimit dhe të ardhura të ulëta – por edhe një tjetër të ri: të jenë në Itali prej të paktën dhjetë vjetësh.

Dy dekretet që tashmë po kalojnë në parlament, ai i sigurisë dhe ai anti-krizë, pjesërisht të aprovuar, në shumë nene të tyre prekin edhe emigrantët. Në dekretin anti-krizë, ato që shkaktuan më shumë debate ishin dy amendamente të Legës. Njëri kërkonte që të huajt që hapin një ‘partita IVA’, pra që vendosin të punojnë si të pavarur, të lidhin një sigurim fidejuksor prej 10.000 eurosh. Pa ndonjë arsye të veçantë, thjesht vetëm pse nuk janë italianë. Masa kishte karakter kaq të theksuar racist sa u hodh poshtë në Senat, por pasi e mori njëherë një aprovim në qeveri.

Ndërsa amendamenti tjetër kishte të bënte me një ‘kontribut’ prej 50 eurosh që emigrantët duhet të paguajnë sa herë që kërkojnë lëshimin e parë dhe përtëritjen e dokumentit të qëndrimit. Pas kritikave të ashpra të opozitës, të kryetarit të Senatit Finit, pas përgënjeshtrimeve të Berluskonit të tipit “e dija – s’e dija”, “bëhet-s’bëhet”, më në fund amendamenti i Legës miratohet në një formë të re, jo më në brendësi të dekretit anti-krizë por në brendësi të paketës së sigurisë: “emigrantët do të paguajnë një shumë që do të shkojë nga 10 deri në 400 euro, që do të vendoset me dekret ministrie”.

Në polemikë me të gjithë ata që u ngritën kundër kësaj takse apo kontributi, Maroni u shpreh se nuk kuptonte pse gjithë kjo shamatë kur edhe në vendet e tjera evropiane të huajt paguajnë një kontribut për marrjen e dokumentit të qëndrimit. Por ndoshta harron që edhe të huajt në Itali, tashmë prej dy vjetësh paguajnë jo pak për dokumentin e qëndrimit, plot 72,12 euro: u japin postave italiane një kontribut 30 eurosh, poligrafikut të shtetit 27,50 euro për shtypjen e dokumentit elektronik dhe 14,62 euro shtetit me pullë-taksë. Të gjithë të huajt mbi moshën 14 vjeç. Dhe jo vetëm kur kërkojnë lejen e parë të qëndrimit, por edhe kur e përtërijnë apo kur e përditësojnë në rast se ndërrojnë adresë, apo pasaportë, u lind një fëmijë. Madje Maroni duhet të dijë mirë që lejet e qëndrimit që të huajt paguajnë 72,12 euro janë të vlefshme për një vit a dy (ligji Bossi-Fini ka përgjysmuar kohëzgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të qëndrimit), për të mos thënë që jo rrallë, pas muajsh të tërë pritjeje me ‘cedolino’-n në xhep ta lëshojnë në prag të skadencës.

Veç kontributit për lejet e qëndrimit, nga paketa e sigurisë, në Senat janë miratuar edhe nene të tjera, shumica e të cilave nuk bëjnë tjetër veçse u vështirësojnë jetën emigrantëve, dhe duket se synojnë më shumë mbushjen e arkave të shtetit sesa rritjen e sigurisë në vend.

Kështu, një nga pikat kryesore të dekretit të sigurisë, futja e veprës penale të klandestinitetit, parashikon që i huaji pa dokumente qëndrimi që kapet nga forcat e rendit nuk do të burgoset, siç parashikohej në tekstin fillestar, por do të paguajë një gjobë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro dhe do të dëbohet nga kuestori pa qenë nevoja për sentencë gjykate. Nuk kuptohet mirë se si do të aplikohet ky nen: atyre që mbërrijnë në Lampedusa, për shembull, para se t’i kthejnë nga kanë ardhur, do t’u kërkohen më parë, minimumi, 5 mijë euro? Vështirë të besosh që shteti t’i kërkojë parà një njeriu të drobitur, të cilit nuk i di as emër e mbiemër.

Ngrihet nga 60 ditë deri në 180 ditë periudha maksimale e mbajtjes së emigrantëve klandestinë në Qendrat e Identifikimit dhe të Dëbimit (emërtimi i ri i Qendrave të qëndrimit të përkohshëm)

Në kuadrin e luftës kundër emigracionit klandestin janë miratuar gjithashtu edhe nene që parashikojnë edhe 5 vjet heqje lirie për favorizim të emigracionit klandestin, për të gjithë ata që punësojnë emigrantë me qëndrim të parregullt; detyrimin e të gjithë administruesve të qendrave të transferimit të parave të denoncojnë brenda 12 orëve të gjithë klientët e huaj që nuk paraqesin dokumentin e qëndrimit (në të kundërt rrezikojnë heqjen nga regjistri i agjentëve financiarë). I njëjti detyrim u kërkua të vihej edhe për mjekët por nuk u miratua; por nga ana tjetër, u la në dorë të tyre të denoncojnë apo jo një pacient pa dokumente qëndrimi (deri më sot mjekët e kishin të ndaluar të denonconin klandestinët).

Kush do të kërkojë lejen e parë të qëndrimit do të firmosë edhe “një marrëveshje integrimi” me kredite (për të ashtuquajturin lejeqëndrim me pikë) me të cilën impenjohet se do të arrijë “objektiva integrimi” deri në skadencën e dokumentit. Por, të paktën, është hequr dëbimi automatik me mbarimin e pikëve të lejes për shumë kategori të huajsh: ata që kanë kartën e qëndrimit, që kanë lejeqëndrim për mbrojtje humanitare, për strehim politik dhe ata që kanë ushtruar të drejtën e bashkimit familjar.

Këtej e tutje kush do të kërkojë shtetësinë italiane do të paguajë një taksë prej 200 eurosh (në çastin kur paraqet kërkesën, jo pas tre katër vjetëve kur mund ta marrë).  Për më tepër, kush do të kërkojë shtetësinë për martesë, do të duhet të presë dy vjet nga martesa e jo gjashtë muaj para se të paraqesë kërkesën. Gjithashtu, për t’u martuar në bashki, këtej e tutje, të huajve do t’u kërkohet të paraqesin edhe dokumentin e qëndrimit, dokument që në shumë komuna të veriut kërkohet tashmë prej disa kohësh, edhe pse nuk parashikohej nga ligji.

Për bashkimet familjare përveç shtrëngimeve të ardhura në fuqi në nëntor të vitit të shkuar parashikohen të reja me paketën e sigurisë. Kështu, këtej e tutje një prind mund të bashkohet me të birin e mitur në Itali vetëm nëse ky i fundit është me qëndrim të rregullt bashkë me prindin tjetër. Një tjetër risi është edhe eliminimi i parimit heshtje-miratim për autorizimin e bashkimit familjar, që deri më sot hynte në fuqi 180 ditë pas paraqitjes së kërkesës për bashkim familjar (dhe që praktikisht do të thoshte se nëse brenda 180 ditëve Sporteli Unik nuk i jepte një përgjigje kërkesës për bashkim familjar, mund të shkohej drejtpërdrejt në përfaqësinë konsullore italiane në vendlindje dhe të kërkohej vizë për bashkim familjar).

Këto janë risitë më të rëndësishme deri më sot. Nuk janë ende ligj, por miratimi i shpejtë në Senat, të lë të kuptosh që nuk do të vonojë t’i shohim të botuara në gazetë zyrtare. E keqja është se dekreti i sigurisë ende nuk është miratuar i gjithi, dhe Lega ka ende kohë të shtojë amendamente të tjera…

Keti Bicoku

Bota Shqiptare 207

 

Loja me shifrat e shqiptarëve në burgje

Igli Tare, drejtori i ri i Lazio-s