Ansa, Rai, Corriere della Sera, e të tjera media elektronike përcjellin lajmin e aksionit policor në Lazarat duke i kujtuar lexuesit se fshati është ai që vitin e shkuar prodhoi 900 tonë marihuanë e duke vënë theksin në reagimin me armë kundër forcave të policisë
“Shqipëria: Nga fshati i marihuanës, skena lufte me policinë” titullon agjencia e shtypit Ansa. Agjencia vë në dukje atë pjesë të daklaratave të shtypit të Policisë ku thuhet se “grupi i personave që qëllon kundër policisë ndodhet në banesën e Gane Mahmutajt, person me precedentë penalë, i dënuar me 22 vjet heqje lirie, por ka dalë nga burgu falë një amnistie”. Ajo kujton të dhënat e mbledhura nga Guardia di Finanza vitin e shkuar pas patrullimit nga ajri i zonës që flisnin për prodhim marihuane mbi 900 tonë që në tregun perëndimor mund të sllte fitime për 4,5 miliardë euro dhe se ky patrullim do të bëhet sërish këtë verë, për të tretin vit radhazi.
“Fshati i marihuanës i rebelohet policisë” thotë lajmi i dhënë nga Rai News.
“Luftë policisë në fshatin e Drogës” titullon Corriere della Sera lajmin e shkurtër mbi aksionin policor në Lazarat.
“‘Mos prekni marihuanën tonë’ – Qëndresa e armatosur e Lazaratit” është titulli i UnioneSarda.it që shkruan në artikull “Polica hyn në fshatin që prodhon 900 tonë kanabis, por banorët rebelohen. Dhe qëllojnë”. “Të armatosur me mitra, kallashnikovë, mina anti-tanks, rezidentët kanë bërë qëndresë ekstreme” vazhdon artikulli që është i vetmi që sjell edhe sulmin ndaj një trupe televizive të A1 Report si edhe fjalët e ministrit Tahiri “Nuk ka Zot që t’ju mbrojë nëse kundërshtoni me armë policinë”.
“Policia rrethon fshatin “mbretëri të kanabisit'” është titulli me të cilin përcjell lajmin TMNews.it.