in

Si mund të llogaritni pensionin në Shqipëri

Shembuj konkretë
Nga Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

 

Vjetërsia kontributive për emigrantët shqiptarë përbëhet nga vjetërsia që kanë në Shqipëri dhe vjetërsia kontributive në vëndet ku janë residentë. Me ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar për sigurimet shoqërore, ndryshoi dhe mënyra e llogaritjes së pensionit, ku si bazë për llogaritjen së tij, nuk është më pensioni bazë (pensioni minimal), por pensioni social. Në kushtet e mungesës së një marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore, me të cilën do të ishte mundësia për njohjen dhe bashkimn e periudhave kontributive, sidomos në dy shtetet fqinjë, Itali dhe Greqi ku numri i emigrantëve shqiptarë është shumë i madh, secili nga këto shtete vepron sipas legjislacionit respektiv. Duke patur parasysh ndryshimet ligjore, një pjesë e madhe e emigrantëve dhe qytetarëve që kanë plotësuar moshën për pension, apo janë në prag të kësaj moshe, nuk e kanë të qartë cilat janë kushtet për përfitimin e pensionit në Shqipëri dhe konkretisht cila është baza dhe mënyra e llogaritjes së pensionit.

Përsa i përket pensionit të pleqërisë në Shqipëri, sipas legjislacionit shqiptar, Ligji 104/2014 nenit nr. 16, (i cili ndryshon nenin 31 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”), përcaktohet si më poshtë:

“Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”.

“Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur:

a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92;

b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë te rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.

Ashtu sikurse theksohet dhe më lart për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetësia kontributive jo me pak se 15 vite kontributive dhe mosha, që përcaktohet sipas tabelës së paraqitur në nenin 43 të ligjit ( që ndryshon nenin 92 )

Aktualisht për vitin 2016 mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 4 muaj ( rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç) dhe për burrat 65 vjeç ( mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056), ndërsa vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit për të arritur me 40 vite në vitin 2029.

Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit 104/2014, neni 18 i cili ndryshon nenin 32 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet si më poshtë:

1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social.

3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 31 të ligjit 104/2014 ( i cili ndryshon nenin 59 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 ).

4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.”

Per ta patur sa më të qaetë këtë përllogaritje, është e nevojëshme të dihet se çfar përfaqëson pensioni social.

Sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.

Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014.

Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi.

Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualish si masë, pensioni social është në shumën 6.750 lekë.

Për llogaritjen e pensionit përdoret formula:

PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) * vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* vite sigurimi*BV ( baza e vlerësuar)

(Shënim: * = shumëzuar)

Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shteterore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjave shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.

Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjestimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës.

Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.

Për ta konkretizuar këtë problem po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërrmarje ekonomike, që aktualisht është e miratuar në masën 4.192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8,59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36.009 lekë.

Ndërsa mbas vitit 1994, merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientët përkatës, japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit.

Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit ( i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1,48 jep pagën minimale prej 22.000 lekë. Po kështu dhe paga maksimale e cila ka qenë 74.150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97.030.

Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficientëve përkatës, do të na japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales.

Në rast se marrim në mënyrë hipotetike që një punonjës para vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 15 vitesh dhe paga mesatare e indeksuar rezulton në një shumë prej 25 000 lekë dhe mbas vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 22 vite me një pagë mesatare të indeksuar prej 30 000 lekësh, atëherë baza e vlerësuar do të llogaritet:

Baza e vlerësuar = (15*25.000 lekë + 22 * 30.000 lekë) : 37 (vite gjithsej ) = 28.000 lekë

Pensioni mujor = ( 6.750 *37/35,7 )+ (1/100 *37*28.000) = 6.996 + 10.360 = 17.356 lekë.

Sipas nenit 33 të ligjit 104/2014, i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie sipas nenit 43 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 përqind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute.

Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Në rastin e mësipërm, nëqoftëse, ky person ka punuar mbi moshë për një periudhë prej 1 viti e 6 muaj, shtesa mbi pension do të llogaritet, 18 muaj * 0,5 = 9% * 17.356 = 1.562 lekë. Në këto kushte pensioni që do të përfitonte aplikuesi do të ishte i barabartë me shumën: 17.356 + 1.562 = 18.918 lekë.

Krahas pensionit të plotë, personat e interesuar kanë mundësi të përfitojnë dhe pension të reduktuar. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur:

a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92;

b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj.” Aktualisht, sipas nenint 92, vitet e sigurimit janë 35 vite e 8 muaj, ndërsa në vitin 2017 do të jetë 36 vite (me një rritje 4 muaj në çdo vit)

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 43, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj.” Për ta patur më të qartë, masa e përllogaritur e pensionit të reduktuar, mbatet në po atë madhësi edhe me plotësimin e moshës për pension të plotë.

Në rast se në shembullin e mësipërm personi do të kishte dale në pension 3 vite para plotësimit të moshës, atëherë, pensioni i tij do të reduktohej në një masë prej 21,6% ( 36 muaj *0,6 =21,6 %). Në këto kushte pensioni i tij nuk do të ishte 17.356 lekë në muaj, por 13.607 lekë (17.356 – 3.749 = 13.607 lekë).

 

PAGAT E INDEKSUARA SIPAS VITEVE

 

VITET

Paga minimale sipas viteve

Paga maksimale sipas viteve

Paga aktuale min shkalle vendi

Paga maksimalee percaktuar

koeficientet

 
 

1994

2560

7680

22000

66000

8.59

 

1995

3180

9540

22000

66000

6.92

 

1996

4100

12300

22000

66000

5.37

 

1997

4910

14730

22000

66000

5.37

 

1998

6040

18120

22000

66000

4.48

 

1999

6645

19935

22000

66000

3.64

 

2000

7773

23319

22000

66000

3.31

 

2001

8396

25188

22000

66000

2.83

 

2002

9403

28215

22000

66000

2.62

 

2003

10343

51715

22000

97030

2.34

 

2004

11376

56880

22000

97030

2.13

 

2005

12514

62570

22000

97030

1.93

 

2006

13140

65700

22000

97030

1.76

 

2007

13140

65700

22000

97030

1.67

 

2008

14830

74150

22000

97030

1.48

 

2009

16120

80600

22000

97030

1.36

 

2010

16820

84100

22000

97030

1.3

 

2011

17540

87700

22000

97030

1.25

 

2012

18295

91475

22000

97030

1.2

 

2013

19026

95130

22000

97030

1.16

 

2014

19405

97030

22000

97030

1

 

2015

22000

97030

22000

97030

1

 

 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Birn: Ja pse shkarkohet ministri i Financave Shkëlqim Cani

17 shkurt 2008. Pavarësia e Kosovës në faqet e para të gazetave