in

Social Card për imigrantët. Ditët e fundit për të kërkuar shumat e prapambetura

Kush paraqet kërkesë brenda 30 prill për të marrë edhe paratë e muajve të parë të vitit 2014 kur ishte e pamundur paraqitja e kërkesës edhe pse ligji u jepte të drejtën edhe imigrantëve. Kriteret, formularët dhe udhëzimet

Romë, 28 prill 2014 – Edhe imigrantët, komunitarë apo jokomunitarë me lejeqëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë mund të kërkojnë kartën e parapaguar (e njohur si ‘Social Card’ apo ‘karta e blerjeve’), kartë e mbushur nga shteti me 80 euro çdo dy muaj që mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit.

Mund ta kërkojnë të moshuarit mbi 65 vjeç ose fëmijët nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta. Pikë parësore referimi është treguesi i situatës ekonomike ekuivalente, i njohur si treguesi Isee, që duhet të jetë nën 6.781,76 euro dhe që kushdo mund të llogarisë falas në Qendrat e Asistencës Fiscale (Caf), pranë INPS-it apo në Komunën e rezidencës.

Nga 1 janari 2014, ligji i fundit i stabilitetit u ka dhënë të drejtën e kësaj karte edhe të huajve me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, por deri pak javë më parë, kush paraqitej në zyrat e postave për ta kërkuar kthehej mbrapsht pa mbaruar punë. Vetëm në fillim të prillit, qeveria nxori një dekret zbatues që mundëson më në fund pranimin edhe të kërkesave të imigrantëve.

Tani imigrantët jo vetëm mund të kërkojnë kartën sociale por u është dhënë mundësia të rikuperojnë edhe paratë e muajve kur për shkaqe që nuk vareshin nga ata nuk paraqisnin dot kërkesën. Dekreti sqaron se kush paraqet kërkesën deri më 30 prill do të ketë të drejtë të marrë edhe shumat e prapambetura, ato të muajve të parë të vitit 2014.

Nga 1 maji të interesuarit do të kenë të drejtën e shumave vetëm nga çasti i paraqitjes së kërkesës. Kush përmbush kriteret bën mirë të nxitojë.

EP

Ja kriteret për të pasur të drejtën e Kartës sociale (nga faqet internet të Poste Italiane)

Nëse je mbi 65 vjeç
Formulari i kërkesës
Udhëzues për përpilimin e formularit

Nëse je prind i një fëmije nën 3 vjeç:
Formulari i kërkesës
Udhëzues për përpilimin e formularit

 

Emigrantët, të përjashtuarit nga pensionet

Reforma e pensionit në Shqipëri. Shtohen vitet e kontributeve, ngrihet mosha e daljes ne pension e grave