Nga 1 janari 2014 ndihma ekonomike u takon edhe qytetarëve evropianë e jokomunitarë me kartë qëndrimi. Por kush duhet të japë shumën vazhdon të pohojë se i takon vetëm italianëve
Romë, 10 janar 2014 – Ligji i fundit i stabilitetit përmban një risi të rëndësishme për imigrantët. Nga ky vit do të mund të kenë SocialCard-ën (Kartën e blerjeve), në të cilën shteti fut çdo dy muaj 80,00 euro për të blerë ushqime, barna e për të paguar faturat e dritave e gazit.
Social Card ishte deri tani e rezervuar vetëm për qytetarët italianë mbi 65 vjeç dhe për të miturit nën tre vjeç (në këtë rast titullar është prindi) me të ardhura vjetore të ulëta. Tani, duke plotësuar kriteret e mësipërme, Social Card u takon edhe të huajve komunitarë dhe jokomunitarë me lejeqëndrimi CE për qëndrues afatgjatë, dokument qëndrimi i njohur ndryshe si karta e qëndrimit.
Por kjo është teori, kalimi në praktikë duket ca i vështirë. Megjithëse ligji i stabilitetit ka hyrë në fuqi nga 1 janari 2014, edhe sot e kësaj dite as INPS që jep kontributin, as Posta Italiane, përmes sporteleve të të cilës paraqiten kërkesat për lëshimin e Kartave Sociale, duket se nuk e kanë marrë vesh, gjë që na sinjalizojnë lexues të ndryshëm.
Në sitin internet të INPS-it ka një faqe të posaçme kushtuar Kartës Sociale, që mes të tjerash rezulton të jetë e përditësuar pikërisht sot (10 janar 2014). Shkruhet që “mund të përfitojnë Kartën e blerjeve qytetarët me shtetësi italiane”. Edhe në call canter të INPS-it (803164) një operator këmbëngul: “Nevojitet shtetësia italiane, përndryshe nuk mund të bëhet asgjë”.
As siti i Postës nuk rezulton i përditësuar me të rejat ligjore. Informon se mund të kërkojë Kartën Sociale vetëm ai që “është italian e është i regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile në Itali”.
Të shkurajuar, provojmë të telefonojmë në Call Center të Kartës Sociale (800666888), por një zë i regjistruar na thotë të njëjtën gjë: mes kritereve për marrjen e Social Card-ës është “shtetësia italiane dhe rezidenca në Itali”.
Kur do të merret parasysh ligji edhe nga institucionet që duhet ta zbatojnë atë?
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)