Në Shkodër e Pukë përmirësim i motit
Në qytetin e Shkodrës sot ka një përmirësim të dukshëm të motit, në krahasim me ditën e djeshme, ku temperaturat e ulëta krijuan shtresa të konsiderueshme akulli, që përbëjnë problem qoftë në qarkullimin e automjeteve, por edhe të këmbësorëve.
Që prej orëve të mbrëmjes së të hënës, në qytet nuk ka reshje bore, ndërsa fadromat e bashkisë në akset rrugore kryesore, si dhe grupet e punonjësve të sektorit të shërbimeve në bashki, si dhe të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit kanë punuar për pastrimin e trotuareve për të bërë të mundur normalitetin e qarkullimit të këmbësorëve.
Ndërkohë që qarkullimi në akset dytësore është zgjidhur, pasi mjetet e për pastrimin e dëborës të bashkisë kane zhbllokuar rrugët dytësore, që lidhen me qendrën e qytetit.
Temperaturat kanë shënuar rritje me + 2 gradë celsius, ndërkohë që mësimi në shkolla vazhdon normalisht ndonëse në disa prej tyre ka pjesëmarrje jo të lartë të nxënësve.
Mësohet se energjia elektrike nuk mungon, ndërkohë që komuniteti i biznesit i është kthyer punës pas lirimit të trotuareve nga dëbora.
Reshjet e dëborës të rëna ditët e fundit kanë shkaktuar më shumë probleme në rrethin e Pukës dhe disa komuna të qarkut të Shkodrës, pasi janë bllokuar nga dëbora.
“Megjithëse sot situata në qarkun e Shkodrës ka pak përmirësim, Vermoshi në Malësinë e Madhe, Shala dhe Pulti në Shkodër vazhdojnë të mbeten të bllokuara si pasojë e dëborës, që ka arritur mbi 1 metër”, thanë për ATSH-në burime nga Prefektura e Shkodrës.
Kryetari i komunës së Shalës, Bale Vukshani, ka kërkuar një mbështetje më të madhe nga strukturat vendore për furnizimin e komunitetit me ushqime dhe medikamente për të sëmurët.
Ndërkohë që me insistimin e Prefektit të Shkodrës, Voltana Ademi, është bërë e mundur që të dërgohen me helikopterë ndihma për këtë komunë.
Temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta, ndërsa nuk ka reshje dëbore, por ka erë të fortë në Pukë dhe Malësi të Madhe. Po punohet në vazhdimësi me entin e rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
Në rrethin e Pukës ka rënie orteqesh në drejtim të Qafë Malit dhe si pasojë rrugët janë të bllokuara, ndërsa po punohet për pastrimin e tyre.
Në qarkun e Shkodrës, aksi rrugor Shkodër- Mabe është i kalueshëm pa probleme, ndërsa akset Shkodër- Koman, Qafë Çelë- Pukë-Fushë Arrës, Fushë Arrës- Gjegjan -Shpal, Koplik- Razëm, janë të kalueshëm me zinxhirë, pasi ka deborë dhe ngrica, ndërsa janë të pakalueshëm akset Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak, Bogë- Theth, Selcë- Vermosh , Qafë Mali- Dardhë -Fierzë, Fushë Arrës- Iballë, si dhe akset në drejtim të Dukagjinit.