in

Spiridon Ilo, firmëtar i aktit të pavarësisë dhe regjistruesi i parë i himnit kombëtar

Në 100 vjetorin e pavarësisë – Përveçse një nga 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Spiridon Ilos i takon autorësia e të parit regjistrim të himnit kombëtar, 30 disqeve me këngë patriotike e lirike, aktor teatror, piktor si dhe treguesi i informacionit për fatin e flamurit që u ngrit në Vlorë në 1912-tën.

Spiridon Ilo u lind më 30 shtator 1876 në Korçë, ku pasi kreu shkollën fillore dhe gjimnazin grek, emigroi me prindërit, motrën e vëllanë në Bukuresht, (Rumani), qytet ku shqiptarët e vendosur me punë atje kishin një nga shoqatat më të forta patriotike në mërgim.

Më pas iku në SHBA, ku u përfshi në qarqet politike patriotike të kolonisë së madhe të korçarëve emigrantë në Boston. Në 1 janar 1906 ishte ndër themeluesit e shoqërisë patriotike “Malli i Mëmëdheut” e më pas, asaj “Besa-Besë”. Më 1907 me patriotët Sotir Peci e Kristo Kirka ishte pjesë e delegacionit nga shqiptarët e Bostonit në ceremoninë e dorëzimit prift të Fan Nolit. E thotë këtë vetë Fan Noli në kujtimet e tij, ku shkruan: “Në shugurimin prift morën pjesë në suazën e një delegacioni shokët e mi shqiptarë, Sotir Peci, botues i “Kombit”, Spiridon Ilo nga Bostoni, etj”. Në Boston, Ilo u bë ndër ndihmësit financiarë për botimet në gjuhën shqip.

Në vitin 1909 u rikthye në Korçë pas shpalljes së hyrjetit e shpejt u organizua me grupet përparimtare e patriotike të qytetit, ku anëtarësohet në “Klubi i diturisë shqip”. Në 14 shkurt 1910 ishte ndër aktivët në mitingun e organizuar nga ky klub, i cili në histori njihet si “mitingu për mbrojtjen e shkronjave shqipe”.

“I sapokthyer nga Amerika, Spiridon Ilo ndikon në gjallërimin e jetës kulturore në Korçë”, shpjegon studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja, që ka grumbulluar dokumenta nga jeta e Ilos, mes tyre dhe një fotografi të grupit amator, ku Ilo ka luajtur në dramën “Besa” në shfaqjen e parë të saj, më 13 dhjetor 1909.

“Kjo ngjarje u pasqyrua në shtypin e kohës ku në gazetën “Lidhja orthodhokse” të atij viti shkruhet mes të tjerave, se “Thanas Floqi si Merushe edhe z. Spiridon Ilo në rolë të Rexhepit, dëftyen një dashuri të gjallë”, shpjegon Kotherja.

Por duket se i mësuar me një jetë ndryshe nga çfarë afronte qyteti juglindor, Spiridon Ilo largohet nga Korça në 23 prill 1910 në Manastir, bashkohet me koloninë e patriotëve shqiptarë e më pas rishkon në Bukuresht, ku hap një  punishte shtypshkrimesh dhe mban kontakte me figurat e shquara të kolonisë së shqiptarëve.

Ishte një nga pjesëmarrësit në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 ku ndodhej dhe Ismail Qemali për shpalljen e pavarësisë. Spiridon Ilo i bashkohet delegacionit të kolonisë së shqiptarëve të Rumanisë në ngritjen e flamurit, por si përfaqësues i Korçës, që në atë periudhë ishte nën pushtimin grek. Vjen e sjell me vete një sasi flamujsh të kuq me shqiponjë të zezë, stampuar në punishten e tij. Në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 ka firmosur nën siglën “Spiro T. Ilo”. 

Rigjendet në Korçë në prill 1914 ku bashkohet me Themistokli Gërmenjin për shtypjen e puçit grek për të rrëmbyer Korçën. Zhgënjimet për situatat politike që kalonte vendi aso kohe duket e shoqërojnë, pasi largohet sërisht në Rumani e më tej, në Amerikë.

Në 1916 në Neë York hapi një kafene të vogël e më pas, merret me stampime, ndërsa në 1923 hapi të parën shoqëri diskografike shqiptare “Albanian Phonograph Records në SHBA”, që luajti rol në zhvillimin e kulturës shqiptare përgjatë viteve 1920-1940.

Spiridon Ilo, i njohur me arbëreshin Giuseppe Mauro në Bukuresht, ritakohen në SHBA. Arbëreshi punonte pranë operas metropolitane të Çikagos dhe Ilo i propozoi bashkëpunim në regjistrimin e këngëve shqiptare. Në vitin 1918 dy artistët regjistruan në kompaninë “Columbia” një seri këngësh patriotike dhe lirike shqiptare, si “Hymni mbretëror”, “Betimi mi flamur”, “Rrofsh ti o flamur” dhe “Prandvera”.

Koleksionisti Kotherja shpjegon se Spiridon Ilo është i pari që regjistroi himnin kombëtar shqiptar, (me nr. regjistrimi E-3948 të “Albanian Phonograph Records”), kënduar nga vetë ai me tenorin arbëresh, Giuseppe Mauro. “Pas shumë mundimesh munda të nxjerr pllaka të reja prej më së mirës kompani në bashkëpunim me profesorin shqiptar, të dëgjuarin tenor Giuseppe Mauro. Kënduam ato më të bukurat këngë kombëtare, të cilat anë e mbanë do himnojnë kombin e do të ligjërojnë gjuhën e bukur shqipe. Tingëllimi i këtyre pllakave në veshët e shqiptarëve do të jetë një gëzim i madh në zemrat e zhuritura të atdhetarëve. Andaj të dashur shqiptarë, ndihmoni duke blerë pllaka që të mund të nxjerrin edhe të tjera për lartësimin e kombit shqiptar” shkruante Spiridon Ilo në median e viteve 20-të në New York.

Niko Kotherja ka gjetur mjaft objekte të kohës së Spiridon Ilos dhe gjykon se “Albanian Phonograph Records” në SHBA kontribuoi në zhvillimin e kulturës shqiptare. “Ilo ndihmoi në zhvillimin e këngës patriotike e kombëtare, botoi më 1916 përmbledhjen me këngë “Dëshirat e zemrës”, shoqëruar me mbishkrimin: “Gjashtë dëshmorëve që vdiqën duke luftuar për atdheun në fushë të Korçës. Këtë libër u dedikoi Përmbledhësi”, thotë Kotherja.

Po atë vit, në 1916, botoi në Boston komedinë “Vërtet ëndërr”, dedikuar Sotir Pecit me dedikimin: “këtë libër të vogël ia dedikoj atdhetarit të vyer, Z. Sotir Peci për veprat atdhesore dhe për karakterin e tij të patundur”.

Ilo ka autorësinë për tekst-muzikat e këngëve patriotike si: “Të gjithë ne o djema”, “Eja mblidhuni këtu, këtu”, “Sa bukur ronimë”, “Kujtim i paharruar”, “E bukur Era”, etj, të botuara në shtypin e kohës si dhe në përmbledhje të ndryshme.

Veç muzikës, si anëtar i shoqërisë “Vatra” merret edhe me botim e stampim gravurash me tema patriotike. “Në 1920 boton disa gravura në mijëra kartolina e kartpostale me përmbajtje kombëtare, si  “Flamuri Kombëtar”, “Luftëtari Kombëtar”, “Luftëtarja Kombëtare”, “Malësori me pushkë”, “Skënderbeu”, mes të cilave dalin në pah idetë patriotike e përparimtare të Rilindjes Kombëtare”, shpjegon Niko Kotherrja.

Pas rreth 5 vitesh regjistrime në shoqëritë amerikane, Spiridon Ilo me “Albanian Phonograph Records-Records and phonographs ALBANIAN – The Spiridon Record CO”, mblodhi instrumentistë dhe këngëtarë shqiptarë si Pando Opingari, virtuozi në fyell, Hysen Rodenji, këngëtar i njohur i këngës popullore nga Përmeti e të tjerë dhe vetë shoqëronte me kitarë.

“Në shtëpinë e re të farkëtimit të muzikës patriotike dhe lirike shqiptare u emetuan 15 pllaka gramafoni”, shpjegon Niko Kotherja, duke shtuar se “fatmirësisht kemi të ruajtura të gjitha regjistrimet e ‘kësaj shtëpie diskografike si në pllaka gramafoni, ashtu dhe të dixhitalizuara dhe regjistruara në CD”.

Kur u kthye përfundimisht nga Amerika në Korçë në vitin 1926, Ilo solli si relike dhe kujtime masterat e emetimit të pllakave, që i ruajti si materiale të vyera për kulturën kombëtare. “Në vitin e dytë të çlirimit, në 1946 i dorëzon kallëpe-masterat pranë Komitetit Ekzekutiv në Korçë, si dhuratë duke e menduar si shërbim ndaj studimit të notave muzikore shqiptare. Por, ndonëse në organet e shtypit të kohës, u quajt si “një dhuratë e vlefshme”, meqenëse kallëpet kishin material bakri, u shpërdoruan duke u vendosur si bazament në antenën e Radio Korçës”, shpjegon Kotherja.

Me kthimin në Korçë, Spiridon Ilo punoi taksambledhës në Bashki. Vdiq aty në vitin 1950. Eshtrat e patriotit, këngëtarit, publicistit e veteranit të lëvizjes kombëtare, Spiridon Tasi Ilo prehen sot në varrezat publike të Korçës.

Mbetet gjithsesi një ndër patriotët e nderuar edhe gjatë periudhës komuniste. Në 1972 u dekorua me urdhrin “Për veprimtari patriotike” Klasi II. Më pas në 80-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekorua me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit I me motivacion: “Atdhetar i dalluar i Lëvizjes Kombëtare që ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar”. Më 7 mars 2006 në ambientet e Pallatit të Kulturës në Korçë (aty ku 69 vjet më parë foli me rastin e 28 nëntorit 1937), iu dha titulli “Qytetar nderi i qarkut të Korçës (pas vdekjes)”.

Emri i Spiridon Ilos lidhet me enigmën e flamurit që valoi në 28 nëntor 1912 në Vlorë. I biri, Vangjo Ilo para pak vitesh dha në media informacionin se Spiridon T. Ilo e mori flamurin shqiptar që zbukuronte sallën në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 në Bukuresht dhe e solli në Vlorë në 27 nëntor 1912. Sipas tij, “Spiridon Ilo qëndroi në shtëpinë e vajzë së tezes Marigo Posio, e cila i qepi flamurit një radhë thekësh dhe disa ndryshime tek shqiponja. Ky flamur u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912”.

Këtë histori e sjell dhe koleksionisti vlonjat Pirro Stefa, që bleu në Milano (Itali) një kartolinë të stampuar në Boston në 1920 nga Ilo me Flamurin origjinal të Pavarësisë, ngritur nga Ismail Qemali më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë në një nga kartoleritë mbushur me botime të rralla, mes të cilave, nga Shqipëria e vjetër.

Stefa i qëndron mendimit se kartolina e Ilos evokon pamjen e të njëjtit flamur, që zbukuroi fasadën e Hotel “Kontinental” në Bukuresht në 5 nëntor 1912 ku Ismail Qemali zhvilloi një takim me patriotët shqiptarë. Spiridon Ilo, si pjesëtar në grupin e patriotëve që shoqëruan Ismail Qemalin drejt Vlorës, e solli me vete flamurin.

Të tjerë historianë pohojnë se Marigo Posio natën mes 27- 28 nëntorit në lagjen Muradie qëndisi thekët e Flamurit dhe të tjerë thonë se ky flamur ishte i stampuar dhe jo i qëndisur, me përjashtim të thekëve që përgatiti Marigo Posio.

Ende sot, askush nuk e ka thënë se ku gjendet Flamuri i Pavarësisë, që valoi në shtëpinë e Vlorajve në 28 Nëntor, 1912. Gjithesi, ajo që dihet dhe mbetet edhe sot, janë firmat e 40 atdhetarëve që guxuan në ato ditë të vështira për kombin të firmosnin pavarësinë e atdheut. (sipas ATSh-së)

Lexo edhe: Flamuri origjinal i Pavarësisë në një kartolinë të patriotit Spiridon Ilo

Kthehen nga Belgjika 66 azilkërkues shqiptarë

Restaurohet ‘Skënderbeu’. 60 aktorë realizojnë dublimet e personazheve