in

Stadiumi Qemal Stafa do të jetë Arena Kombëtare, prezantohet projekti

Rama: “Do të jetë nga më të bukurit në Europë, një stadium ku të luajë jo vetëm kombëtarja, por mundësisht edhe një finale e Superkupës së Europës apo Europa League”

Tiranë, 21 prill 2016 – Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi sot projektin për ndërtimin e Arenës Kombëtare, aty ku është stadiumi Kombëtar ‘Qemal Stafa”.

Projekti është i studios Archea që ka ideuar edhe stadiumin Friuli-Dacia Arena. Punimet, që do të bëhen nga shoqëria shqiptare Alb-star, do të nisin në maj e pritet të mbarojnë brenda dy vjetëve. Stadiumi do të kushtojë rreth 50 milionë euro. Kapaciteti i stadiumit do të jetë 22.300 vende dhe do t’u përgjigjet standardeve cilësore të kërkuara nga UEFA.
Stadiumi do të jetë multifunksional. Aty nuk do të luhet vetëm futboll – ndeshjet e Kombëtares dhe të klubeve të Partizanit dhe KF Tirana – por do të mund mbahen koncerte dhe konferenca. Në brendësi të stadiumit do të ketë edhe bar, restorant, hotel dhe një hapësirë për zyra.  

I pranishëm në ceremoninë e paraqitjes së projektit, Kryeministri Edi Rama theksoi se ky stadium do të jetë ndër më të bukurit në Europë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka, në fjalën e tij e u shpreh se ky projekt ishte një bashkëpunim i përbashkët me qeverinë.

“Për një projekt të tillë u desh koha e nevojshme dhe kjo kohë mund të ishte edhe më e gjatë. Por, ju them se është më e shkurtër sesa koha që kanë marrë projekte të ngjashme në Itali. Ky projekt është një bashkëpunim i suksesshëm me qeverinë. Kryeministri ka kontribuar maksimalisht për përshpejtimin e projektit dhe kalimin e pengesave”, tha Duka.

“Ne kemi qene, jemi dhe do të jemi deri në fund mbështetës shumë aktivë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të sportit në tërësi, të bindur që ky është një investim përtej sportit. – u shpreh kryeministri – Edhe Shqipëria do ketë një stadium të standardeve më të larta evropiane. Një stadium ku të luajë jo vetëm kombëtarja, por mundësisht edhe një finale e Superkupës së Europës apo Europa League-s, dhe do t’ia dalim, duke patur një stadium nga më të bukurit në Europë”.
“E dimë se, një euro e investuar në sport është 3,7 euro e kursyer në shëndetësi. Ne e dimë se nga vijmë nga pikëpamja e organizmit. Dua të shpreh vlerësimin tim për atë që ka bërë FSHF për 10 vitet e fundit. I kemi të gjithë parasysh skenat e stadiumeve që më shumë se stadiume ishin arena prapambejtjeje pafund. Stadiume ku vetëm futboll dhe kulturë nuk mund të zhvillohej dhe infrastrukurën që nuk u lejonte talenteve të zbuloheshin përmes pjesëmarrjes masive, sepse nuk mund të zbuloheshin”, tha Rama, duke shtuar se nuk jo vetëm futbolli, por e gjithë infrastruktura sportive ishin në vëshitrësi.
“Askush s’do ta kishte besuar që Shqipëria do të ishte në finalet e një Evropiani, por përtej kësaj ne na intereson rritja e kapaciteteve të qëndrueshme dhe rikthimi i sportit në shkollë. Sot kemi një sistem të ri në arsimin parauniversitar ku orët e kulturës fizike janë kthyer në orë ku të rinjtë zbulojnë talentet e tyre në çdo sport”, tha Rama.

 

“Vals Hyjnor”, himni kushtuar Nënë Terezës

Shtetësia italiane për rezidencë. Çfarë dokumentesh duhen paraqitur?