in

Studentët e ASAT-it festojnë 100-vjetorin e pavarësisë

Konferencë, ekspozitë dhe filma. Gjatë muajit nëntor Asat organizon një sërë aktivtetesh me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ASAT, shoqata e studentëve shqiptarë në Trieste organizon një sërë nismash gjatë muajit nëntor, të përmbledhura në “Muajin e Kulturës Shqiptare në Trieste”.

Ky muaj çelet me konferencën “Roli i arbëreshëve në historinë e Italisë”, vijon me projektimin e dokumentarit “Rescue in Albania” (Shpëtimi në Shqipëri), “Një shteg për në Romë” ditë të filmit shqiptarë në Itali, dhe mbyllet me ekspozitën historiko fotografike të të madhit Marubi.

“Ideja e realizimit të konferencës mbi komunitetin arbëresh në Itali lindi për të zgjuar një pjesë të historisë së popullit shqiptar, ndoshta pak të njohur nga publiku italian. Dëshirojmë të flitet më shumë për kontributin e dhënë nga arbëreshët për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë të personaliteteve dhe revolucionarëve të njohur si Francesco Crispi, Antonio Gramsci e shumë të tjerë. Arbëreshët patën një rol të rëndësishëm jo vetëm në luftëra dhe beteja por edhe në jetën politike të shtetit të pavarur dhe të bashkuar që do të formohej me vonë. Trimëria, shpirti liridashës dhe krenaria për kombin e të parëve tanë janë të rrënjosura thellë në popullin arbëresh dhe transmetohen edhe sot brez pas brezi” thuhet në komunikatën e shtypit të ASAT që prezanton aktivitetet e muajit.

Konferenca do të mbahet në sallën qendrore (Aula Magna) të universitetit të Triestes më datë 6 Nëntor 2012. Për rolin e arbëreshëve në Itali në konferencë janë ftuar të marrin pjesë Francesco Altimari, profesor në Universitetin e Kalabrisë si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri dhe Matteo Mandalà, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Do të jenë të pranishëm edhe  autoritetet qeveritare e diplomatike të Kosovës, Ibrahim Makolli, Ministër i Diasporës i Republikës së Kosovës, Bukurije Gjonbalaj, ambasadore e Republikës së Kosovës në Romë dhe Petrit Prekazi, konsull i Republikës së Kosovës në Romë.

Gjatë muajit nëntor do të zhvillohet edhe një kinoforum me projektimin e disa dokumentarëve. Besa dhe bujaria e popullit shqiptar në shpëtim të hebrenjve karakterizojnë më së miri filmin-dokumentar “Rescue in Albania”. Janë dëshmitë e të mbijetuarve që flasin dhe e ngrenë lart krenarinë e të qenurit shqiptarë. Ndërsa dokumentari “Një shteg për në Romë” prezanton ditë të kinematografisë shqiptare, filma me tematika të ndryshme të cilat trajtojnë plagë dhe fenomene të kaluara dhe aktuale të shoqërisë shqiptare që kanë karakterizuar kinematografinë shqiptare.

Muaji i kulturës shqiptare në Trieste do të mbyllet me ekspozitën fotografike “Marubi” në të cilën do të ekspozohen 60 fotografi bardhezi të themeluesit të fotografisë shqiptare dhe ballkanase Pjetër Marubi. Pamjet e pazarit të vjetër, të kalasë “Rozafa”, portreti i Luigj Gurakuqit, i Kol Marubit dhe kostume grash janë disa nga fotografitë e studios Marubi, e cila u krijua në vitet 1885-1890. Ekspozita do të qëndrojë hapur nga 21 deri më 30 nëntor në Sallën ish AIAT (Piazza Unità d’Italia, 4 – Trieste – Sala mostre ex AIAT).

Për më shumë informacion kontaktoni shoqatën në:
www.asatrieste.it
e-mail: info[at]asatrieste.it, asat[at]units.it
facebook: facebook.com/asat.trieste

Fitoi 10 milionë por duhet të kënaqet me 500 mijë

Kthehen nga Belgjika 66 azilkërkues shqiptarë