in

Studentët që u kthyen në atdhe

Të vazhdosh të jetosh në Itali, apo të nisesh për kismet në Shqipëri – kjo është çështja. Dhe nuk është një fjalë goje të vendosësh nëse do të vazhdosh të provosh fatin në Italinë e botës së punës, apo të kthehesh në Shqipërinë që nuk është më ajo e dikurshmja. “Bota shqiptare” e sjell këtë realitet nëpërmjet një cikli intervistash me ata që janë kthyer.

Martin Bllamo

“Nuk jam penduar që jam kthyer. Por nuk di nëse do t’ua këshilloja të tjerëve të ktheheshin”

Quhem Martin Bllamo. Kam studiuar inxhinjeri ndërtimi dhe arkitekturë tek La Sapienza. Zgjodha të shkoja të studioja në Itali sepse doja të studioja në një shkollë më cilësore, dhe doja të shihja si jetohej në perëndim, të zbuloja një vend të ri, një kulturë të re, dhe të bëhesha i pavarur. Për më tepër në kohën kur kam studiuar unë, në Shqipëri nuk e kisha të sigurt se do të fitoja konkursin e pranimit në universitet por nga ana tjetër unë doja të vazhdoja vetëm këtë degë, dhe për të gjitha këto arsye vendosa të shkoja në Itali.

Kjo eksperiencë në Itali më vlejti shumë më shumë aspekte, edhe për sa i përket eksperiencës së shkollës që ishte shumë më solide dhe më angazhuese në Itali se sa në Shqipëri, kishte shumë kërkesë llogarie. E thënë me pak fjalë ishte shumë më cilësore se sa shkolla në Shqipëri. Këtë mund ta them me siguri sepse më pas frekuentova një pjesë të universitetit në Tiranë, dhe niveli nuk ishte i njëjtë me atë që ishtë në Romë.

Nuk jam penduar aspak që studiova në Itali. Dhe do tua këshilloja edhe maturantëve shqiptarë. Por duhet pasur parasysh se nevojitet një punë e jashtëzakonshme. Është një eksperiencë shumë e dobishme dhe që të jep shumë më tepër se shkollat në Shqipëri, por duhet një punë e jashtëzakonshme. Në Shqipëri në përgjithësi mësohesh dembel, ndërsa mënyra e të studiuarit në Itali të jep një tjetër kulturë pune shumë më sistematike dhe të përgjegjshme.

Vetëm fillimi ka qenë i vështirë sepse ishte një vend i ri, i huaj, dhe vetmia, të qenët vetëm larg familjes e larg shokëve e bënte pak të vështirë.

Në Shqipëri u ktheva për arsye personale. Profesioni që ushtroj në Shqipëri sot përputhet pjesërisht me atë që kam studiuar në Itali. Por është normale, shkolla është vetëm një pjesë e përgatitjes, shumë gjëra arrihen me përpjekjet e veta.

Kur u ktheva në Shqipëri kam pasur probleme të ndryshme burokratike, që nga konvertimi i notave, nga sistemi me 18-30 në sistemin shqiptar 5-10. Profesorat kishin probleme të mëdha me konvertimin e notave të mia, para pesë vjetësh kur unë u ktheva në Shqipëri. Nuk kuptonin se çfarë ishin kreditet. Në fillim kujtonin se kreditet ishin nota.

Sidoqoftë nuk jam penduar që u ktheva në Shqipëri, edhe kjo për arsye personale. Në përgjithësi nuk jam tip që shikoj prapa dhe nuk pendohem për gjërat që bëj.

T’ia këshilloj apo jo dikujt të kthehet në Shqipëri? Kjo është çështje e ndërlikuar. Në përgjithësi studentët që studiojnë jashtë mendojnë se po të vijnë në Shqipëri do t’i kenë rrugët e hapura por në të vërtetë kanë më shumë vështirësi se ata që kanë përfunduar studimet në Shqipëri, sepse janë të paambientuar me mënyrën si funksionojnë gjërat këtu, dhe kanë edhe vështirësinë e njohjes së diplomës. Njoh jo pak raste kur konvertimi i diplomës u është bërë dy vjet pas kthimit.

Është për të ardhur keq sepse bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme për tu diplomuar në Itali dhe këtu e gjejnë veten të barazuar me një që ka mbaruar në Vlorë, apo në universitetet private. Ndërkohë që edhe në Itali e kanë të qartë se nuk është njësoj si të kesh studiuar tek Sapienza, dhe tek universiteti i Barit apo Catanias.

ma.ru., Bota Shqiptare

Lexo edhe: Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe

 

Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe

Studentët që u kthyen në atdhe /2