Inca dhe CGIL promovojnë veprime legale në gjithë Italinë që t’u kthehen imigrantëve paratë e mbledhura nga shteti padrejtësisht. Piccinini: “Mjaft me spekulime, shtetasit e huaj nuk janë lopë për t’u mjelë”
Romë, 19 maj 2016 – Taksa mbi lejet e qëndrimit është e paligjshme? Atëherë Shteti duhet t’u kthejë mbrapsht imigrantëve paratë që kanë paguar padrejtësisht deri më sot.
Në këtë arsyetim, që në pamje të parë duket shumë i saktë, bazohet padia gjyqësore masive e promovuar këto ditë nga patronati INCA dhe sindikata CGIL në gjithë Italinë. Dhjetë ankesa për po aq imigrantë apo familje imigrantësh, janë paraqitur tashmë në gjykatat e Barit, Torinos, Perugias, Napolit dhe Romës, nga një grup avokatësh të koordinuar nga Vittorio Angiolini dhe Luca Santini. Ky është vetëm transhi i parë, do të pasojnë të tjera ankesa, qëq kanë të gjitha si objektiv të përbashkët të detyrjnë Qeverinë – pas një lumi dënimesh – të heqë atë taksë të urryer.
Është një fazë shumë e rëndësishme e një rrugëtimi të nisur në vitin 2012, kur u fut kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit: nga 80 deri në 200 euro sipas kohëzgjatjes së dokumentit. Një barrë më shumë që iu shtua 16 eurove të pullë-taksës, 30,46 eurove të shtypjes së dokumentit elektronik dhe 30 eurove të shërbimit postar për pranimin e nisjen e kërkesës.
Inca paraqiti ankim në gjykatën administrative (TAR) të Lazios, tAR-i iu drejtua gjykatës evropiane të Drejtësisë, kjo e fundit vendosi më 2 shtator 2015 që kontributi është “tepër i lartë”, nuk justifikohet nga kostoja që ka për Shtetin dhe dhe nuk përputhet me normativat evropiane. Madje përbën “pengesë për ushtrimin e të drejtave” që direktivat evropiane u njohin imigrantëve.
“Kanë kaluar 260 ditë nga ajo sentencë, por qeveria bën jo një port ë dy veshët të shurdhër” thotë Claudio Piccinini, coordinator i zyrave të imigracionit të patronatit INCA. Por ndërkaq, Patronati dhe sindikata CGIL kanë mbledhur përmes sporteleve të tyre 50 mijë kërkesa dëmshpërblimi dhe ia kanë nisur Presidencës së Këshillit të ministrave dhe ministrive të Ekonomisë dhe të Brendshme: “Në fillim të gjithë në u përgjigjën se nuk ndiheshin kompetentë në këtë fushë, më pas na u tha se duhet t’i nisnim në një tjetër adresë. Vetëm sorollatje”.
“Tani nuk mjaftohemi më me fjalë, u drejtohemi gjykatësve. Në gjyq – shpjegon Piccinini – kërkojmë rimbursimin e kontributeve për lëshimin/përtëritjen e lejeve dhe që në të ardhmen të huajt mos e paguajnë më. Kërkojmë gjithashtu edhe pagesën e interesave nga 2 shtatori deri në ditën e kthimit të parave, sepse nuk ka mirëbesim të administratës në mospërshtatjen me sentencën”.
Çdo ankim ka natyrisht një histori më vete dhe bazohet mbi dokumente që kanë arritur të mbledhin imigrantët dhe ata që i kanë ndjekur, mbi të gjitha kopje të lejeqëndrimeve të vjetra dhe kuponet postare të derdhjes së kontributit. Rastet? Nga kujdestarja morokene që kërkon t’i kthehen 100 euro deri te familja shqiptare që shpreson të rekuperojë plot 1.300 euro. Inca paguan avokatët, por paditësit marrin në ngarkim një kontribut të unifikuar.
“Kostoja e çështjeve gjyqësore, në shumë raste, është më e lartë se shuma që do të rekuperohet” vë në dukje presidentja e Inca-s Morena Piccinini. “Kjo do të thotë se ata që po ngrenë gjyqet e bëjnë, më shumë se për fitim personal, për një çështje qytetarie, të drejtash. Por në të njëjtën kohë tregon edhe pse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave tona për dëmshpërblim. Imigranti mund të fitojë të drejtën e vet vetëm nëse i drejtohet gjykatës e nëse këtë e bën i vetëm nuk ka asnjë leverdi. Por shumat e derdhura deri tani, të gjitha së bashku, japin një shifër shumë të madhe”.
Sipas presidents së Inca-s ky është spekulimi i njëqindtë mbi imigrantët që trajtohen si “lopë për t’u mjelë”. “Përfitohet edhe ekonomikisht nga nevoja e qytetarëve të huaj për të qenë në rregull me dokumentet e qëndrimit, duke shumëfishuar paratë që ata duhet të paguajnë sa herë përtërijnë lejet. Përveç vjeljes nga të huajt të taksave dhe kontributeve, shumë më të larta nga çka u jepet, Italia u zhvat para edhe padrejtësisht. Nëse një gjë e tillë do t’u bëhej italianeve, do të merrnin sfurqet…”.
Si është e mundur që pas sentencës së gjykatës evropiane, pse jo duke takuar sindikatat, qeveria nuk dha sqarime e as nuk tregoi si mendon të veprojë? “Kjo qeveri ka shmangur gjithnjë përballjen me ndërmjetësit, në tryezat e rrumbullakëta që kemi pasur me minisrtinë e Brendshme bashkëbiseduesit tanë vetëm sa janë njohur me problemin, pa u angazhuar për zgjidhjen” tregon Kurosh Danesh, përgjegjës i departamentit të imigracionit të sindikatës CGIL.
“Në pankartat që kemi shtypur, është shkruar “Po paguan një taksë të padrejtë”, sepse thelbi është pikërisht ky. Punonjësi immigrant – thekson Kurosh – paguan taksa e kontribute njësoj si italianët, edhe pse fiton më pak se ata, po të jetë grua edhe një të tretën më pak. Kësaj nuk mund t’i shtosh një padrejtësi të dukshme, me qeverin që injoron një vendim të nivelit të lartë, duke përgënjeshtruar kështu me fakte atë që predikon mbi imigracionin. Do t’i shkojmë deri në fund, që të bëhet drejtësi”.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)