in

Taksa mbi lejeqëndrimet. Cgil e Inca: “Do të paraqesim ankimim”

Aksion legal kundër taksës së re mbi lejet e qëndrimit: “Është e padrejtë, nëse nevojiten para le të bëhet sanatore” Livia Turco (PD): “Do të mbështesim çdo iniciativë për ta hequr”. Ndërkaq sindikata USB denoncon: “Shumë të huaj nuk arrijnë të paguajnë dot taksën. Heqja është akt qytetarie”

Romë 31 janar 2012 – Taksa mbi lejet e qëndrimit ka vetëm pak orë jetë e rrezikon të përfundojë në gjykatë. “Do të ankimohemi kundër kësaj mase të padrejtë” lajmërojnë që më 30 janar sekretari konfederal i Cgil-s, Vera Lamonica, dhe presidenti i Inca-s, Morena Piccinini.

“Norma është e padrejtë – shpjegojnë – qoftë sepse, përveçse shkel ligjin, godet të huajt që tashmë kontribuojnë me punën e tyre për financat e shtetit, qoftë sepse u ngarkohen atyre kostot e një politike dëbimesh që është gjithnjë e më pak koherente me lëvizjet migratore aktuale”. Është për më tepër “e padrejtë që burimet e nevojshme për dëbimet duhet të rëndojnë mbi ata që janë ligjërisht të pranishëm në territorin italian”.

Sipas Lamonicas dhe Piccininit, “fondet për financimin e politikave migratore dhe të integrimit duhen gjetur në një legalizim të mundshëm të të gjithë atyre që punojnë në të zezë. Një hap i tillë është koherent me punën e qeverisë, e angazhuar në luftën kundër evazionit fiskal”.

Cgil dhe Inca kishin vënë në punë avokatët e tyre për të shqyrtuar taksën e re që një muaj më parë kur u botua në Gazetën Zyrtare dekreti i nënshkruar nga Maroni dhe Tremonti mbi detajet e kësaj takse, por kishin bllokuar paraqitjen e ankimimit kur qeveria e re e Montit paralajmëroi se donte ta modifikonte.

“Fakti që më 30 janar taksa hyri në fuqi pa modifikime na bindi të shkojmë përpara. Avokatët tanë kanë gjetur tashmë pikat e dobëta mbi të cilat mund të ngrihet një çështje legale në TAR” thotë për stranieriinitalia.it Claudio Piccinini, koordinator për imigracionin në Inca. Tani për tani askush nuk jep detaje mbi ankimimin, për të mos mundësi Avokaturës së shtetit të parapërgatitet, por paralajmërohet një betejë e ashpër që intereson miliona të huaj në Itali.

Ndërkaq, USB, dell’Unione Sindacale di Base, ngre shqetësimin se shumë të huaj nuk kanë të paguajnë këtë taksë të re. “Në sportelet tona ka një fluks të lartë imigrantësh të shqetësuar për pamundësinë e pagimit të kësaj takse” thotë përgjegjësi kombëtar për imigracionin i USB-së, Soumahoro Aboubakar, që kujton se lejet e qëndrimit edhe para hyrjes në fuqi të taksës së re kushtonin jo pak, por 72 euro. Ndaj edhe sindikata i kërkon qeverisë të heqë taksën përndryshe do të ndërmarrin “një sërë iniciativash proteste”. “Heqja e kësaj takse është një akt qytetarie” thotë sindikalisti që paralajmëron: “po nisim një seri iniciativash të bujshme që do të përfshijnë shumë qytete. Po i ndërmarrim bashkë me imigrantë e familjet e tyre, shumë prej të cilëve kanë humbur vendin e punës, jetojnë me çekun e papunësisë apo nuk kanë as atë”.

Partia Demokrate, gjithnjë kundër kësaj takse, shprehet e gatshme të mbështesë këdo që do të punojë për heqjen e taksës. “Është një taksë që kemi kundërshtuar gjithnjë kur po miratohej nga qeveria Berlusconi-Maroni-Tremonti. – thotë Livia Turco, presidente e Forumit të imigracionit të PD-së – Do të vazhdojmë ta kundërshtojmë duke mbështetur çdo iniciativë shoqatash dhe organizatash sindikaliste që duan ta heqin duke përdorur çdo hapësirë legjislative në dispozicion me qëllim që taksa të hiqet”.
 

Humbet paratë e qirasë në videopoker dhe e shkatërron

Shqiptarët pa viza në Maqedoni e Mal të zi