Një sentencë e re e Gjykatës së Milanos. “Kontributi është i paligjshëm, të huajt janë diskriminuar, paguanin tepër. Shteti t’i dëmshpërblejë”
Milano, 11 korrik 2016 – Taksa mbi lejet e qëndrimet nuk ekziston më, por edhe duhen dëmshpërblyer ata që e kanë paguar.
Një përmbledhje e shkurtër e fakteve të deritanishme. Më 2 shtator 2015 Gjykata evropiane e Drejtësisë u shpreh se kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit të kërkuar nga Italia është “tepër i lartë”, aq sa përbën një pengesë për të drejtat e qytetarëve të huaj, ndaj shkel normativat evropiane. Fjala i kaloi sërish TAR-it për vendimin përfundimtar, që më 24 maj anuloi dekretin që e kishte sjellë në fuqi kontributin, sepse i paligjshëm, ndaj nga data e sentencës së TAR-it, edhe pse qeveria bën një vesh të shurdhër e nuk jep asnjë udhëzim sikur nuk ka ndodhur asgjë, kontributi nuk paguhet më.
E kush e pagoi? Përgjigjja mbërriti e prerë më 8 korrik, të premten e shkuar, nga gjykata e Milanos. Seksioni i parë civil ka dënuar për diskriminim Kryeministrinë, ministrinë e Brendshme dhe atë të Ekonomisë dhe i ka urdhëruar ato të dëmshpërblejnë 6 imigrantë e të paguajnë shpenzimet e procesit gjyqësor.
Gjashtë imigrantët, me mbështetjen e avokatëve Livio Neri dhe Alberto Guariso të ASGI-t, kishin hapur gjyq kundër diskriminimit. Në fakt, ishin të mendimit se për lejet e tyre të qëndrimit kishin qenë të detyruar të paguanin padrejtësisht shuma shumë më të larta se ato që derdhin italianët, për shembull, për lëshimin e kartave të identitetit.
Gjykatësja Martina Flamini u ka dhënë të drejtë. Para së gjithash, duke kujtuar sentencat e Gjykatës evropiane të Drejtësisë dhe të TAR-it, shkruan që “dispozitat që përcaktojnë masën e kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit [nga 80 deri në 200 € sipas kohëzgjatjes së dokumentit], janë krejtësisht të paligjshme”. Por ato dipozita janë edhe diskriminuese.
“Paditësit – lexohet në sentencë – u diskriminuan për arsye të kombësisë, në kuptimin që ata – si të huaj kërkues të përtëritjes së dokumentit të qëndrimit – për të marrë lejen e qëndrimit, u detyruan të paguanin një shumë tejet më të lartë se ajo e paguar nga italianët për përfitimin e një shërbimi të ngjashëm”. Kostoja e lejes së qëndrimit, në fakt, është “rreth tetë herë më e lartë se kostoja për lëshimin e kartës së identitetit italiane”.
Për administratën publike, nxjerrja e një lejeqëndrimi është më i vështirë se ajo e një karte identiteti. Kështu kanë pohuar kryeministria dhe dy ministritë, duke folur për “verifikime komplekse” por nuk kanë paraqitur në gjyq asnjë provë në mbështetje të këtij pohimi, ndaj versioni i tyre nuk është është marrë në konsideratë.
Me të verifikuar diskriminimin, gjykatësja ka vendosur edhe që gjashtë paditësve u duhen kthyer mbrapsht shumat e marra padrejtësisht dhe, për t’i llogaritur ato, kanë zbritur ajo çka kishin paguar, 27,50 € të parashikuara kur paraqtën kërkesën (tani 30,46 €) për shtypjen e lejeqëndrimit elektronik. Do të kenë mbrapsht, sipas rasteve, 145 ose 245 euro secili.
“Është një urdhëresë e rndësishme, sepse për të parën herë imigrantëve u kthehen mbrapsht paratë. Zgjodhëm rrugën e padisë antidiskriminim sepse këtë sugjeronte sentenca e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë” thotë për Stranieriinitalia.it avokati Alberto Guariso.
E gjithë të tjerët që kanë paguar padrejtësisht? Duhet të hapin gjyq të gjithë? “Varet. Qeveria mund e duhet të shmangë daljen sërish në gjyq. Do të mjaftonte një dekret në të cilin të përcaktohet një kosto e drejtë për lejet e qëndrimit, por edhe mënyra si t’u kthehen mbrapsht të gjithëve paratë e derdhura me një taksë të padrejtë. Por, menjëherë, duhet t’u sqarojë të gjithëve që ajo taksë nuk ekziston më”.
Elvio Pasca
Lexo në origjinal tekstin e urdhëresës së Gjykatës së Milanos