Apeli i Stranieriinitalia.it drejtuar qeverisë. Cancellieri e Riccardi kishin paralajmëruar se dëshironin ta modulonin sipas të ardhurave dhe përbërjes familjare. Të paktën kaq, por kur?
Romë, 24 janar 2012 – Qeveria Monti kishte premtuar se do të ‘modulonte’ taksën e re mbi lejeqëndrimet. Kur ka ndërmend ta bëjë?
Taksa hyn në fuqi brenda pak ditëve. Praktikisht, sipas dekretit të aprovuar nga qeveria pararendëse, të nënshkruar nga ministrat e asokohe Maroni dhe Tremonti, nga e hëna e ardhshme imigrantët duhet të derdhin taksën nga 80 deri në 200 euro për lëshimin apo përtëritjen e lejeve të qëndrimit. E nuk ka vend arsyetimet “Bëjnë sakrifica italianët, pse të mos bëjnë të huajt” apo “Ç’të keqe ka? Edhe italianët paguajnë për të marrë një dokument”. Së pari, të huajt në Itali, njësoj si italianët, po sakrifikojnë duke paguar të gjitha taksat e shtrenjtimet në këtë periudhë krize, duke vuajtur në kurriz të tyre papunësinë. Dhe ndonjëherë duke përfituar më pak se italianët nga shërbimet asistenciale. Së dyti, emigrantët paguajnë edhe tani për marrjen e lejes së qëndrimit. Plot 72 euro për një dokument që arrijnë të marrin pas disa muajve (e kanë marrë edhe të skaduar ndonjëherë) kur ligji parashikon vetëm 20 ditë. Pra taksa nga 80 euro për lejeqëndrimin njëvjeçar deri në 200 për kartën e qëndrimit është ekstra, plus të tjerave që paguajnë njësoj si italianët, dhe plus asaj çka paguajnë sot për marrjen e dokumentit.
Më 4 janar, ministrat Cancellieri dhe Riccardi kishin paralajmëruar se do të rimodulonin taksën, në bazë të të ardhurave dhe të përbërjes familjare. Por kanë kaluar njëzet ditë e asgjë nuk është bërë e ditur.
Për stranieriinitalia.it, portali i imigrantëve në Itali, taksa mbi lejet e qëndrimit duhet hequr. “Është e padrejtë dhe e tepruar. Kërkohet për një shërbim aspak efikas” shkruan në apelin që i bën qeverisë Monti. “Do të godasë familje qëmbajnë mbi shpatulla peshën e krizës ekonomike e paguajnë për të gjitha manovrat me të cilat Italia mundohet të dalë nga situata”.
“Nëse qeveria nuk ka forcë, guxim apo dëshirë për ta hequr, të paktën ta reduktojë, ndjeshëm dhe menjëherë, përpara se të hyjë në fuqi kjo taksë, bijë e një stine politike ksenofobe, që shpresojmë të kapërcyer”. Është ky apeli që stranieriinitalia.it u drejton ministrave Cancellieri dhe Riccardi, kryeministrit Mario Monti dhe të gjitha forcave politike që do të dëshirojnë ta mbështesin këtë betejë.