Gjykata kushtetuese: “është antikushtetuese norma që parashikon kërkimin e lejes së qëndrimit për martesën”. Hidhet poshtë norma e kërkuar me forcë nga Maroni, që kishte shkaktuar rënien e numrit të martesave të përziera
Romë 25 korrik 2011 – Je klandestin por dashuron një italiane e dëshiron të martohesh me të? Nëse martesa në vetvete nuk të tremb, mund ta bësh. Nga 25 korriku të huajt e parregullt mund të martohen sërish në Itali. Është shpallur antikushtetuese, pra shfuqizohet, norma shtrënguese e miratuar nga qeveria aktuale dy vjet më parë me një nga paketat e sigurisë, sipas të cilës për të lidhur martesë në Itali duhet të tregoje që kishe lejen e qëndrimit. Këtë ka vendosur gjykata kushtetuese me një sentencë të depozituar sot të nënshkruar nga gjykatësi Alfonso Quaranta. Sentenca deklaron “paligjshmërinë kushtetuese të paragrafit të parë të nenit 116, të kodit civil, të modifikuar me nenin 1 paragrafin 15 të ligjit të 15 korrikut 2009, nr. 94 (i njohur si paketa e sigurisë por me titull “Dispozita mbi çështje të sigurisë publike”), vetëm për fjalët “si edhe një dokument që të dëshmojë rregullsinë e qëndrimit në territorin italian”.
Sipas gjykatës, të varësh martesën e dy personave nga situata juridike e qëndrimit të njërit prej tyre shkel të drejtat themelore të individit (të mbrojtura nga neni 2 i Kushtetutës), veçanërisht të drejtën e tij për të ndërtuar familje (neni 29 i Kushtetutës), shprehimisht të formuluara në nenin 16 të Deklaratës universale të të drejtave të njeriut të vitit 1948 dhe në nenin 12 të Konventës evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.
Sipas sentencës, në këtë rast, dëmi – apo e thënë ndryshe sakrifikimi i të drejtës së të huajve dhe jo vetëm i atyre për të lidhur martesë – është shumë më i madh se objektivi që kishte për qëllim të arrinte norma e nxjerrë nga Maroni & Co, pra lufta kundër imigracionit klandestin. Sepse siç shpjegohet në sentencë, “është e qartë që kufizimi i të drejtës së imigrantit për të lidhur martesë në Itali, kufizon për rrjedhojë edhe të drejtën qytetarit (italian) që mendonte të lidhte martesë me të huajin”.
Ndaj “përjashtimi i përgjithësuar nga e drejta e martesës, në rastin kur dhëndri apo nusja është i huaj pa qëndrim të rregullt në Itali, përbën një mjet të papërshtatshëm për të siguruar një balancim të arsyeshëm dhe në përpjesëtim të drejtë të interesave të ndryshëm të përfshirë, veçanërisht po të mbahet parasysh që Teksti unik mbi imigracionin parashikon norma për kundërshtimin e të ashtuquajturave martesa për leverdi”.
Fiton dashuria, ndërsa ligji i kërkuar me forcë nga PdL dhe Lega humb një tjetër copë. Deri tani kishte arritur të pengonte aq shumë çifte të ndërmerrnin hapin e madh të martesës sa statistikat e çifteve të përziera kishin rënë ndjeshëm. Ata më këmbëngulësit vendosnin të martoheshin në San Marino apo në atdhe, të tjerët hiqnin dorë nga martesa.
E.P.