Kosovarët mund të pajisen me pasaportë biometrike. Për një çmim shumë më të ulët se shqiptarët
Romë, 2 nëntor 2011 – Më 31 tetor, në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës u mbajt ceremonia e fillimit të lëshimit të pasaportave biometrike.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se me fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike është plotësuar një ndër kriteret më të rëndësishme drejt liberalizimit të vizave.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se fillimi i lëshimit të pasaportave biometrike është shenjë se Kosova do të plotësojë kushtet për liberalizim të vizave me shpejtësi dhe sipas kritereve të Bashkimit Evropian. “Me lëshimin e pasaportës së parë biometrike po e përmbushim një parakusht shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin e sigurisë së dokumenteve, ashtu edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Është një hap i madh për Kosovën, është dokument që barazon qytetarët e Kosovës me ata të Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Thaçi.
Qytetarët e parë të Republikës së Kosovës të cilët janë pajisur me pasaporta biometrike janë: Fatos Bajçinovci, Zymrije Grajçevci dhe Ender Alija.
Pajisja me këtë dokument është një nga kushtet që u mundëson qytetarëve të Kosovës të hyjnë në listën e bardhë Shengen, që nënkupton udhëtimin pa viza në shtetet evropiane të kësaj zone.
Në të vërtetë, tani për tani, qytetarët e Kosovës nuk përfitojnë asgjë me pajisen me pasaportë biometrike, kur dialogu për vizat as nuk ka nisur ende, dhe kur procesi i liberalizimit mund të marrë kohë shumë të gjatë. “Ne presim që të nisim dialogun për liberalizmin e vizave në dhjetor të këtij viti dhe do të marrë edhe një kohë deri sa Kosova të hyjë në listën e bardhë të Shengenit, dhe prandaj qytetarët nuk kanë nevojë që menjëherë të bëjnë aplikim dhe të marrin pasaportat biometrike”, shpjegon Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i ministrit të punëve të brendshme.
Prodhimi i pasaportave biometrike të Kosovës ka filluar në gusht të këtij viti në Austri, ku u theksua se ato janë të nivelit më të lartë dhe përmbajnë elementet më të sofistikuara, sa i përket sigurisë së tyre dhe se janë të njëjta si të gjitha pasaportat biometrike të shteteve të BE-së. Ndërsa personalizimi i pasaportave biometrike bëhet në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve të Ministrisë së Brendshme.
Për marrjen e pasaportës biometrike të Republikës së Kosovës, qytetari duhet të paguajë, maksimumi, 50 euro, sipas disa kritereve. Për marrjen e pasaportës për herë të parë, çmimi është 30 euro; për marrjen e pasaportës të humbur, apo dëmtuar, për ndërrim apo ripërtëritje të dhënave, çmimi është 35 euro; për marrjen e pasaportës për fëmijë deri në moshën 3 vjeç, çmimi është 20 euro; për marrjen e pasaportës për fëmijë prej 3 deri në 18 vjeç, çmimi është 25 euro; për marrjen e pasaportës diplomatike, çmimi është 50 euro; për marrjen e pasaportës zyrtare, çmimi është 35 euro. Çmimi i pasaportës biometrike për pensionistët është 20 euro.