Marrëveshja mundëson bashkëpunimin mes tri vendeve për zbatimin e projektit të TAP, projekt me rëndësi strategjike jo vetëm për tri vendet, por për gjithë Europën
Romë, 13 shkurt 2013 – Është nënshkruar sot në Athinë, marrëveshja mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për realizimin e gazsjellësit Trans Adriatic pipeline, TAP. Marrëveshja tripalëshe, u firmos në mesditë në Athinë, nga pala shqiptare përmes ministrit të Ekonomisë e Energjetikës, Edmond Haxhinasto, nga ministri i Jashtëm Dimitris Avramopulos për Greqinë, dhe ministri për Zhvillimin, Corrado Passera, për Italinë.
Në tekstin e komunikatës së shtypit të lëshuar sot nga Konsorciumi për TAP-in lexohet se “marrëveshja ndërqeveritare përforcon një sërë angazhimesh kyçe të tre qeverive për zhvillimin, ndërtimin dhe aktivitetin e ardhshëm të gazsjellësit TAP. Në kuadrin e Traktateve Komunitare, dhe të Traktatit të Europës për Energjinë, marrëveshja trepalëshe do të sigurojë bashkëpunimin mes shteteve për realizimin e përpiktë të gazsjellësit”.
TAP do të sjellë gazin natyror nga Azerbajxhani në Europë. Kapaciteti i parashikuar sot i gazsjellësit është 10 miliardë metra kubë por në të ardhmen mund të rritet deri në 20.
Sipas të trija vendeve nënshkruese, TAP është i një rëndësie strategjike, asi zhvillimi i interkoneksionit të sistemeve të transportit të gazit do të rrisë sigurinë e furnizimit si edhe diversifikimin e burimeve e të trajektoreve.
Në linja të përgjithshme, marrëveshja për realizimin e TAP-it është arritur në New York më 27 shtator 2012, ku pas asemblesë së 67-të të OKB-së, ministri i jashtëm italian Giulio Terzi, ai shqiptar Edmond Panariti dhe ai grek Dimitris Avramopoulos, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi.
Aksionerët kryesorë të projektit TAP janë kompania zvicerane Axpo (42,5%) norvegjezja Statoil (42,5%) dhe ajo gjermane E.ON Ruhrgas (15%). Edhe ENEL ka treguar interes për t’u bërë pjesë e projektit.
TAP është projekti konkurrent i Nabucco West, që të dy ‘në garë’ për të ashtuquajturin Korridori Jugor i konsorciumit Shah Deniz, që ka kohë deri në qershor 2013 të zgjedhë mes të dyve.