Jetoj në Itali prej shumë vitesh, tani jetoj me pensionin social dhe dua të bëj kërkesë për shtetësinë italiane. më thonë që pensioni social nuk më mjafton për të marrë shtetësinë. A është e vërtetë?
Një ndër kriteret për njohjen e shtetësisë italiane është pikërisht ai i të ardhurave. Dekreti i ministrisë së Brendshme i 22 nëntorit 1994 i modifikuar nga Dekreti i 25 majit 2002, ka përcaktuar që merren si pikë referimi të ardhurat e fituara gjatë tre vjetëve të fundit, të deklaruara rregullisht me paraqitjen e dokumentit Cud, ose Unico ose 730.
Kërkesa e shtetësisë duhet të shoqërohet nga kopja e modeleve fiskale të sipërpërmendura ose me anë të një certifikate të lëshuar nga Zyra e Tatim-Taksave (Ufficio delle Imposte).
Duhet pasur parasysh që shtetësia jepet në bazë të një procedimi vetëgjykimor të administratës që vlerëson edhe mundësitë ekonomike të kërkuesit, kështu që për administratën duhet të kesh në dispozicion mjetet e mjaftueshme për të mbajtur veten pa iu bërë barrë shoqërisë.
Ministria e Brendshme për njohjen e shtetësisë, në kuadrin e pushtetit vetëgjykimor, dhe në përputhje me sentenca të shumta të Këshillit të Shtetit, ka vendosur që kërkuesi duhet të ketë të ardhura jo më të pakta se 8.300 euro, shuma e parashikuar për të mos paguar shpenzimet shëndetësore.
Në rast se kërkuesi i shtetësisë nuk përmbush plotësisht këtë kriter ekonomik, merret parasysh kapaciteti ekonomik i të gjithë bërthamës familjare, pra shuma e të ardhurave të vitit pararendës të çdo pjesëtari të familjes.
Në këtë rast duhet të dorëzohen dokumentet fiskale që tregojnë të ardhurat e çdo familjari.
Nëse kalon shumë kohë mes paraqitjes së kërkesës dhe përmbylljes së praktikës ministria e Brendshme, para se të procedojë me hedhjen poshtë të mundshme të saj, mund të kërkojë përditësimin e të ardhurave të deklaruara fillimisht, duke i dhënë mundësinë kërkuesit të paraqesë dokumente të reja, përfshirë ato të familjarëve.
Avv. Mariangela Lioy