in

Të martuar por nuk bashkëjetojmë. A ka problem për kartën e qëndrimit?

Jam italian i martuar me një të huaj që duhet të përtërijë kartën e qëndrimit për familjarë të BE-së. Nuk bashkëjetojmë për motive pune, a do t’i hapin problem në Kuesturë?

Romë, 13 prill 2015 – Karta e qëndrimit për familjarët e qytetarëve të BE-së që nuk kanë shtetësinë e një vendi anëtar të Evropës u lëshohet atyre që kanë lidhur martesë me një shtetas komunitar apo familjarëve të tij (bijve deri në 21 vjeç, prindërve, apo familjarëve “të tjerë” që janë në ngarkim të komunitarit).

Sa më sipër nuk bazohet në tekstin unik për imigracionin (dekreti legjislativ 286/98) por në dekretin legjislativ 30 të vitit 2007, me të cilin Italia ka përvetësuar Direktivën nr. 2004/38/BE mbi “të drejtën e qytetarëve të Evropës dhe të familjarëve të tyre të lëvizin e të qëndrojnë lirisht në territorin e vendeve anëtare”.

Dekreti legjislativ 30/2007 zbatohet edhe për familjarët jokomunitarë të qytetarëve italianë, nëse ai është më i favorshëm se normat e parashikuara nga dekreti legjislativ 286/98.

Kjo premisë është shumë e rëndësishme asi po të aplikohej teksti unik i imigracionit, bashkëjetesa e bashkëshortëve do të ishte kusht i domosdoshëm për lëshimin e dokumentit të qëndrimit bashkëshortit të qytetarit italian. Mospërmbushka e kushtit nga një çast i caktuar do të sillte në fakt tërheqjen apo mospërtëritjen e dokumentit të qëndrimit.

Kështu, në bazë të dekretit legjislativ 30/2007, për përtëritjen e kartës së qëndrimit për familjarët e qytetarëve të BE-së nuk duhet të bëhet asnjë kontroll për verifikimin e bashkëjetesës së çiftit. Kuestura mund të kontrollojë për të verifikuar nëse martesa është e vërtetë apo është lidhur për qëllime përfitimi, por nuk mund të gjykojë mbi zgjedhjet që çifti bën për jetën e vet.

Kërkuesi i lëshimit apo përtëritjes së kartës së qëndrimit si bashkëshort i shtetasit italian, duhet vetëm të provojë të qenët bashkëshortë, duke paraqitur veç të tjerash edhe certifikatën e martesës ose atë familjare.

Kërkesës që paraqitet në Kuesturë i duhet bashkangjitur:

1) Fotokopje e pasaportës apo e një dokumenti tjetër të barasvlefshëm;
2) Dokumentacion që dëshmon lidhjen martesore;
3) Fotografia e aplikuesit.

Bashkëshorti i qytetarit italian apo i një shteti tjetër të BE-së ka të drejtën e përtëritjes së kartës së qëndrimit edhe nëse nuk bashkëjeton me qytetarin italian apo komunitar, parim ky që tashmë është konsoliduar e pohuar edhe nga organet e drejtësisë.

Edhe në rast se nuk ka më bashkëjetesë pas disa viteve martesë të dëshmuara edhe nga dokumentet e mëparshme të qëndrimit për motive familjare lëshuar bashkëshortit jokomunitar, ky fakt nuk do të përbëjë rrethanë të mjaftueshme për mospërtëritjen e dokumentit të qëndrimit, pasi lidhja martesore nuk mund të konsiderohet fiktive.

Lidhja martesore që zgjat për më shumë se pesë vjet i jep të drejtën bashkëshortit jokomunitar edhe të fitojë të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Itali. Kjo në bazë të nenit 14 të Dekretit legjislativ nr. 30/2007, me kusht që të mos verifikohet vdekja, largimi i qytetarit komunitar nga Italia, ndarja apo anullimi i martesës.

Avv. Mascia Salvatore, Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

“Convivio di Occhio Blu” sjell në Romë Visar Zhitin

Eksodi i kuksianëve drejt Europës