in

Tej fasadës

Edhe njerëzit e zakonshëm, do të preferonin shumë më tepër vendime e akte konkrete, sesa gjeste propagandistike, tek të cilat rendis edhe heqjen e gardhit modest të kryeministrisë. Shpresa dhe fryma pozitive ekziston, dhe qeveria duhet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë inerci
Nga Alqi Koçiko

Ditët e para të aktivitetit të një qeverie të re, nuk do mend që janë në vëmendjen kureshtare të publikut. Në rastin e qeverisë Rama, kjo është akoma më shumë e vërtetë, për shkak të shumë arsyeve të njohura: Kureshtje për të parë dinamizmin e kabinetit të ri, lëvizjet dhe vendimet e para; për të ndjerë distancën ose afrinë e premtimeve të djeshme nga veprat e sotme; apo për të vënë re se si do funksionojë partneriteti sa strategjik, aq dhe delikat mes PS-së dhe LSI-së. Në fakt, fryma e re u ndje menjëherë; një marsh më shumë i dha asaj edhe turneu i ngjeshur europian i Edi Ramës, ku në takimet me aktorët kyçë të Brukselit u dha mesazhi se statusi i vendit kandidat është plotësisht i arritshëm në fund të vitit, me dy kushte: Kalimi nga fjalët tek veprat sa i përket antikorrupsionit, dhe dialog e bashkëpunim me opozitën. Me të drejtë, këto dy kushte u komentuan dhe si kontradiktore deri diku, pasi përveç luftës ndaj korrupsionit këtej e tutje, duhet edhe të ekspozosh korrupsionin e qeverisë së kaluar, dhe është pak si zor ta bësh këtë në frymë bashkëpunimi me opozitën. Gjithsesi, ky është filli i hollë mbi të cilin duhet të ecë Rama.

Por përveç turit dhe mesazheve të jashtme, qeveria mori disa vendime e paralelisht tyre, anëtarë të kabinetit nisën aktivitetin ministror, ku me shpallje masash, ku me takime apo dhe me gjeste mediatike. Pikërisht në këtë veprimtari, bie në sy një përzierje e aktiviteteve të fasadës dhe akteve konkrete. Për t’i marrë me radhë, të fillojmë me Kodin e Etikës së Këshillit të Ministrave, një dokument që përveç një filli të qartë kujdesi për shpenzimet qeveritare (biletat dhe shpenzimet e udhëtimit për familjarët e ministrave etj), në pamje të parë do na e vështirësojë padyshim punën edhe ne njerëzve të medias. Prononcimet dhe intervistat e ministrave nuk do të jenë kaq të lirshme sa më parë, sepse do të filtrohen e miratohen nga zyra e komunikimit në kryeministri. Madje, gjasat janë që aktualiteti i një problematike të “digjet” apo “ftohet”, teksa gazetari pret të vijë leja për intervistë. Por më tepër se kaq, ky Kod tradhton një merak të kryeministrit, që ekipi i tij qeverisës të shfaqet i bashkuar, harmonik dhe në unison për të gjitha çështjet dhe vendimet; “sherret e shtëpisë” nuk dalin në pazar. Dhe ky merak është i kuptueshëm kur kemi parasysh se forca, e njëherësh thembra e Akilit të këtij kabineti, është aleanca PS-LSI.

Që LSI ka një spektër autonom veprimtarie edhe në kuadër të bashkëqeverisjes, këtë e dëshmon më së miri çështja e heqjes së portretit presidenciale nga zyrat e shtetit (do zëvendësohet nga Ismail Qemal Vlora) dhe qëndrimi “hibrid” i kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili deklaroi se do t’i mbajë të dyja. E tepërt të themi se reagimi i PD-së ndaj këtij akti është hipokrit dhe dyfytyrësh: në pushtet, ishte kryeministri Berisha, ministrat dhe kryeparlamentarja ata që e fshinë nga pamja dhe nga kujtesa, portretin e presidentit Bamir Topi. Por kjo nuk na pengon të themi se ky vendim ishte i nxituar dhe i paarsyeshëm. Se kush është individi Bujar Nishani dhe si u zgjodh në krye të shtetit, nuk ka asnjë rëndësi. Madje unë mendoj se nuk duhet shtruar as çështja nëse ai përfaqëson ose jo realisht “unitetin e popullit”. Ai është presidenti, përfaqësuesi i institucionit më të lartë përfaqësues, dhe nëse Berisha u akuzua nga Rama edhe si dhunues institucionesh, vetë kryeministri nuk duhej të binte në të njëjtin gabim. Pavarësisht se ç’mendojmë sot e gjithë ditën për selinë e PD-së dhe ca vendime të tjera. Tek e fundit, kë takoi Rama menjëherë pasi fitoi zgjedhjet? Ky akt, tek e fundit, bie në kundërshtim me porosinë për t’u lavdëruar (por ndërkaq, shumë normale për një vend perëndimor) të ministrit të Jashtëm, Bushati, që trupa diplomatike ta presë kreun e opozitës siç pret ministrat.

Ndërkaq, serioziteti në vendimmarrje, në jehonë të premtimeve gjatë opozitës, qeveria e tregoi në anulimin e importit të mbetjeve. Shpresëdhënës është premtimi solemn i Ramës për shlyerjen e borxhit gjigant ndaj biznesit privat. Po ashtu seriozitet dëshmon qëndrimi i ministrit të Brendshëm Tahiri, që “anuloi” çdo përplasje politike që mund të ketë pasur në opozitë me oficerët e policisë, duke kërkuar prej tyre vetëm performancë profesionale. Interesant është dhe kompozimi i stafit nga Erion Veliaj, por shumë e sforcuar ishte shfaqja e tij me fëmijën rom në spitalin publik. Po, sa u përket romëve, ministri fare mirë do ishte e udhës t’i bënte një ftesë publike (ose jo) kryetarit të bashkisë së Tiranës, për t’u ulur bashkë dhe zgjidhur çështjen e strehimit të romëve. Dhe është ende në kohë për ta bërë këtë.

Edhe njerëzit e zakonshëm, besoj unë, do të preferonin shumë më tepër vendime e akte konkrete, sesa gjeste propagandistike, tek të cilat rendis edhe heqjen e gardhit modest të kryeministrisë. Shpresa dhe fryma pozitive ekziston, dhe qeveria duhet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë inerci, e madje ta ushqejë atë. Por jo duke hapur debate pa bukë për heqje e vënie portretesh.

Revista KLAN

Papà Kyenge prega per scacciare “la malvagità dallo spirito” di Calderoli

Ancona. Sekuestrohen 11 kg marihuanë e arrestohet një 21-vjeçar shqiptar