Gjashtë vjet më parë, në fshatin Dhemblan, fqinjë me fshatin Turan, katër nga tetë depo me mjete luftarake shpërthyen, duke vrarë katër oficerë, ndërsa mbi 50 hektarë kullotë u klasifikuan nga Ministria e Mbrojtjes si zonë me rrezikshmëri të lartë. Javën e shkuar, shpërthimi i një predhe në Turan, lëndoi një fëmijë i cili ka humbur tre gishta të dorës së djathtë
Tiranë, 29 gusht 2011 – Fundjavën e kaluar, vogëlushi S. D, 8 vjeç, nga fshati Turan, rreth 10 km larg Tepelenës, ishte me fat që shpëtoi gjallë nga shpërthimi i një diegoreje ushtarake, por fatkeqësisht humbi përgjithmonë tri gishtat e dorës së djathtë.
Mjekët e spitalit rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës thonë se vogëlushi ka reaguar pozitivisht pas operacionit kirurgjikal.
“Fati ishte me të. Pacienti ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërhyrja kirurgjikale zgjati mbi katër orë. Në trupin e tij u hoqën pjesë nga diegorja”, thotë Roland Karalliu, mjek kirurg.
Mjeku shpreh habinë se si diegorja luftarake ka rënë në duart e vogëlushit.
“Të them të drejtën jam i revoltuar si prind. Si është e mundur që një diegore luftarake të bjerë në duart e vogëlushit 8 vjeçar?”, pyet me habi mjeku.
Për të, faj është i të gjithëve, pa përjashtuar ushtrinë, e cila është përgjegjëse direkt për sigurinë e armëve.
“Incidenti në fshatin Turan tregon se ngjarje të tilla mund të përsëriten në të ardhmen”, shprehet kirurgu, ndërsa thekson se ushtria, krahas demontimit të armëve, duhet të mendojë seriozisht për të siguruar jetën e qytetarëve, sidomos të banorëve që jetojnë rreth poligonit.
Xhevdet K., mësues, i cili ndjek bisedën, tregon se vogëlushi e gjeti diegoren rreth 3 kilometra larg fshatit Turan.
“Specialistët e ushtrisë e konsiderojnë zonë të sigurtë, por faktet flasin ndryshe”, shprehet Xhevdeti.
Sipas tij, fëmija i plagosur po lëvizte në një zonë që konsiderohet jashtë zonës së rrezikshme nga specialistët e ushtrisë.
“Këtë version dua ta besoj. Por dua të di si ka përfunduar në afërsi të fshatit diegoreja, rreth 10 km larg poligonit?”, pyet mësuesi.
Gjashtë vjet më parë, në fshatin Dhemblan, fqinjë me fshatin Turan, katër nga tetë depo me mjete luftarake shpërthyen, duke vrarë katër oficerë, ndërsa mbi 50 hektarë kullotë u klasifikuan nga Ministria e Mbrojtjes si zonë me rrezikshmëri të lartë.
Tre ditë pas tragjedisë së Dhemblanit, ushtria ndërmori një operacion të gjerë dhe afatgjatë për të larguar të gjitha municionet luftarake që ishin shpërndarë kudo në gjashtë fshatrat e komunës Lopez.
Mësuesi thotë se qysh prej shpërthimit të 6 majit 2006, ushtria është treguar shumë e kujdesshme me demontimin e armëve, por përsëri siguria e jetës le për të dëshiruar. “Fatkeqësisht qëlloi që diegoreja ra në dorën e 8-vjeçarit. Ai e gjeti lehtësisht mjetin luftarak, duke kullotur bagëtinë së bashku me motrën. Mund të ishte përsëritur tragjedia e Dhemblanit”, specifikon ai.
Ndërkaq, drejtuesit e Divizionit të Gjirokastrës e kanë vlerësuar maksimalisht situatën, ndërsa kanë nisur hetimet ligjore për të nxjerrë fajtorët.
“Policia dhe prokuroria ushtarake aktualisht ka nisur një procedurë ligjore për të hetuar me themel ngjarjen e Turanit. Dyshohet se diegoreja mund të ketë mbërritur në afërsi të fshatit gjatë demontimit, por është ende herët të japësh një version të saktë”, shprehen burimet zyrtare nga Divizioni i Gjirokastrës.
Të njëjtat burime pohuan se pranë fshatit Turan, është ngritur prej disa vitesh një fushë demontimi për asgjësimin e armëve luftarake, megjithatë hetimet tona do të përqendrohen për të saktësuan se si ka rrjedhur diegorja jashtë vijës së sigurisë.
“Mendohet se 8 vjeçari mund të jetë futur aksidentalisht në zonën e demontimit, pa u pikasur nga roja e sigurisë. Për ne siguria e banorëve është parësore, pastaj vjen demontimi”, theksojnë burimet zyrtare. (ATSh)