Nga John Hooper
Duke shpresuar më kot për anulim të vendimit me therje, 1000 qingja do të masakrohen të mërkurën si kulmi i festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Therja masive, e organizuar nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha, ka ngjallur polemika dhe protesta, ndërsa kundërshtarët e cilësojnë si një turp grotesk. Të hënën, anëtarë të krahut rinor të Partisë Socialiste protestuan jashtë zyrës së kryeministrit, duke mbajtur parulla dhe fotografi të mëdha me qengja.
Tre kryetarë shtetesh dhe së paku pesë kryetarë qeverish do të jenë të pranishëm në Tiranë për të marrë pjesë në festime, gjatë të vilave do të serviret qengji i gatuar në një tavolinë 200 metra të gjatë. Shqipëria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912, kur flamuri kuqezi i heroit kombëtar, Skënderbeu, u ngritur në qytetin e Vlorës.
Trupi i një sundimtari të paraluftës në Shqipëri, Mbretit Zog, është kthyer në vendin e tij për të shënuar përvjetorin. Festimet parashikojnë koncerte, parada dhe ngritjen e një monumenti për 100- vjetorin. Por therja e qingjave ka shokuar kundërshtarët e Berishës.
“Ky është një vend tradicionalisht jo shumë vegjetarian, ta themi kështu”, shprehet sekretari i të rinjve socialistë, Erion Veliaj. “Nuk shquhemi për çështjen e të drejtave të kafshëve. Por të glorifikosh këtë proces, i jep shoqërisë një reputacion që nuk e meriton”.
Ai shton: “Unë mendoj se ka shumë gjëra për të festuar në këtë vend, nga Nënë Tereza tek Vëllezërit Blues, por t’i vësh vulën me këtë turp grotesk është zhgënjyese”.
Nënë Tereza e Kalkutës – e lindur si Agnes Gonxhe Bojaxhiu, ishte një shqiptare etnike nga Shkupi. John Belushi, ylli i filmit kult të viteve ’80, ishte djali i një emigranti shqiptar në Amerikë.
Rreth 80 përqind e popullsisë në Shqipëri janë myslimanë, kurse pjesa tjetër janë katolikë dhe ortodoksë. Por vendi ka tradita të forta të sekularizimit dhe moderimit fetar.
Zyra e kryeministrit nuk u arrit dot të kontaktohej për komente.
Lexo në origjinal: Anger as Albania marks 100th birthday with mass slaughter of lambs