Nga Besart KADIA
Pyetja e parë që filluam t’i bëjmë vetes të gjithë pas kalimit të entuziazmit të parë për marrjen e dritës jeshile për statusin kandidat ishte se çfarë përfitojmë ne nga ky status. Kaluan dy ditë dhe gjithçka është si më parë, do kalojnë vite dhe në rast se institucionet tona nuk arrijnë profesionalizmin europian, ne do të mbetemi njësoj. Mos harrojmë se Turqia ka bërë aplikimin për vend anëtar në 1987, i është dhënë statusi kandidat në 1997 dhe është akoma në negociata të gjata që nuk dihen kur do të kurorëzohen me anëtarësim.
Ky proces duhet të bëhet i qartë dhe në mënyrë konstante nga çdo analist e çdo politikan për publikun vendas. Përfitimet ekonomike të shumëpritura do të vijnë vetëm atëherë kur ne do të ofrojmë infrastrukturë institucionale të ngjashme me vendet e tjera të rajonit dhe kur ne të bëhemi pak më shumë europianë me njëri-tjetrin. Paraprakisht, pak gjuhë teknike duhet përdorur për të kuptuar që në fakt BE ka dhënë asistencë financiare dhe teknike deri tani për dy fusha të rëndësishme në Shqipëri: së pari, ndihmë në procesin e tranzicionit duke dhënë asistencë në reformat institucionale dhe së dyti, bashkëpunim me shtetet e tjera të rajonit me projekte ndërkufitare, ku sipas BE-së, vetëm për vitin 2013 ne kemi përfituar 95 milionë euro. Më pas ne mund të përfitojmë asistencë në tri fusha të tjera të zhvillimit rajonal si në transport, mjedis dhe zhvillim ekonomik, në burime njerëzore dhe në të fundit, në zhvillimin rural. Të tre këta komponentë janë të ngjashëm me fondet që përfitohen nga vendet që janë anëtare të BE-së, si fondi i kohezionit, fondi i zhvillimit rajonal etj. Por për përfitimin e këtyre fondeve ne duhet të përmirësojmë shumë herë më shumë kapacitetet tona përthithëse, siç tregoi dhe mungesa e projekteve cilësore gjatë thirrjes së fundit të IPARD like me vlerë 8 milionë euro për sektorin bujqësor.
Duke qenë se jemi vendi që i ka të ardhurat për frymë sa 30% e mesatares së BE-së, është padyshim fat gjeografik dhe ndihmë e jashtëzakonshme çdo asistencë që vjen nga BE-ja për ne. Por rruga nuk është e thjeshtë dhe këto instrumente apo ndihma për vendet që janë akoma jashtë BE-së, do të ndikojnë pak dhe do të shtrihen në vite, e nuk ka asnjë argument që të bën të mendosh se do të ndikojnë direkt dhe pozitivisht në rritjen tonë ekonomike pasi dhe përfitimet nga liberalizimi tregtar Shqipëria po i ndien që nga viti 2009, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, MSA.
Shpresa e madhe është që ne do të përfitojmë transferta parash nga komuniteti europian në formën e fondeve të zhvillimit të rajoneve mbi parimin e solidaritetit. Sipas këtij parimi, BE-ja ndihmon rajonet e varfra të këtij bashkimi shtetesh nëpërmjet konkurrimit dhe aplikimit me projekte cilësore nga shtetet anëtare. Por asgjë nuk është falas dhe e garantuar. Rumania për shembull, anëtare që nga viti 2007 në BE mendonte se do të kishte akses deri në 20 miliardë euro nga fondet e BE-së, por në fakt aftësia e saj për të absorbuar projekte të BE-së ishte vetëm 7.4% e potencialit, më e ulëta në BE, duke bërë që qeveria e atjeshme të masë suksesin e saj politik me sasinë e projekteve që mund të përfitojë nga BE-ja, ndërkohë që shqetësimi kryesor mbetet korrupsioni në nivel shtetëror.
Të gjitha këto procese të integrimit publiku ynë do t’i ndjejë me ngadalë dhe nga pak, duke mos patur ndonjë ndryshim rrënjësor në jetën e tyre të përditshme, pasi në fund të fundit procesi i integrimit do të mbetet një proces i ftohtë, teknik e burokratik. Integrimi do të vijë vetëm atëherë kur ne të ndihemi dhe të sillemi si europianë, e këtu dua të theksoj aksidentin e para do ditësh, ku një pasagjer i një makine private lëngonte për jetën e tij dhe thërriste për ndihmë njerëzore dhe hyjnore pranë makinës që digjej me mikun e tij brenda e që regjistrohej në celular nga një qytetar në rrethinat e Tiranës. Mbi 15 minuta as policia, as zjarrfikësit e as qytetarët nuk i afroheshin një shqiptari që i dëshpëruar kërkonte ndihmën e tyre. Këto pamje jo europiane u transmetuan nga mediat televizive dhe ishte një ndjesi zbrazëse kur asnjë autoritet politik, fetar e intelektual nuk e përmendi dështimin e plotë të një shoqërie që sot është kandidate për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.