Më 1 janar 2012, në Itali jetojnë në mënyrë të rregullt 3.637.724 qytetarë jokomunitarë. Komuniteti më i madh është ai i marokenëve me rreth 507 mijë vetë, në vend të dytë shqiptarët me 491.495 persona. Mes shqiptarëve të Italisë, 62,9% kanë kartën e qëndrimit, 27,3% nuk kanë mbushur 18 vjeç, janë gra 47,1%. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme dhe ISTAT
Në vitin 2012 numri i shtetasve të huaj jokomunitarë është rritur me 102 mijë krahasuar me një vit më parë. Vendet nga vijnë emigrantët më të shumtë janë Maroku (506.369), Shqipëria (491.495), Kina (277.570) Ukraina (223.782) dhe Filipinet (152.382). Janë këto të dhënat më të fundit të Institutit italian të statistikave dhe të ministrisë së Brendshme që i referohen 1 janarit 2012.
Stabilizimi
Vazhdon të rritet quota e të huajve që kanë dokumentin afatgjatë të qëndrimit, atë që njëherë e një kohë quhej karta e qëndrimit e që merret pas pesë vjetëve jetese në Itali. Në vitin 2011 ishin 1.638.734; në vitin 2012 janë 1.896.223 dhe përbëjnë 52,1% të të huajve me qëndrim të rregullt në Itali. Kjo përqindje është edhe më e lartë, madje është më e larta se për të gjitha komunitetet e tjera, për shqiptarët e Italisë: 62,9% e tyre kanë kartën e qëndrimit (apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë).
Kuota e qëndruesve afatgjatë, më e lartë në krahinat e Veriut dhe të Italisë së Mesme, është tregues i stabilizimit të të huajve.
Të huajt e mitur jokomunitarë përbëjnë 23,9% të të gjithë të huajve, (përqindje që për shqiptarët arrin në 27,3%), ndërsa në vitin 2011 ata përbënin vetëm 21,5%. Të miturit e huaj me vendlindje Italinë janë tashmë më shumë se gjysmë milioni, diçka më pak se 60% e të gjithë të miturve të huaj. Nga të miturit shqiptarë, 61,2% kanë lindur në Itali.
67% e qytetarëve jokomunitarë të ardhur në Itali në vitin 2007 (pesë vjet më parë) janë akoma me qëndrim të rregullt në Itali edhe më 1 janar 2012. Në thuajse 20% të rasteve, kush ka qëndruar, ka ndërruar provincë. Për shqiptarët këto të dhëna janë më të mira: janë të vlefshme edhe sot e kësaj ditë 72% e lejeve të lëshuara në vitin 2007, dhe ndër ata që kanë qëndruar në Itali vetëm 12,3% ka ndërruar provincë.
Provincat që kanë treguar aftësi më të lartë mbajtjeje të të huajve janë Bolzano (qëndrojnë në këtë provincë 94,6% e të huajve që kishin marrë aty leje qëndrimi në vitin 2007), Genova (90,3%), Aosta (90,1%), Imperia (89,9%) dhe Trento (89,4%); mes dhjetë të parave, renditen edhe Milano (88,5%) dhe Roma (87,5%).
Provincat që mbajnë më pak emigrantët, ato ku qëndrohet pak, janë Crotone (arrin të mbajë vetëm 31,8% që kishin marrë aty leje qëndrimi në vitin 2007), Caltanissetta (46,5%), Foggia (50,0%).
Reduktimi i ardhjeve
E ndjeshme rënia e ardhjeve të reja të shtetasve të huaj jokomunitarë: gjatë vitit 2011 janë lëshuar 361.690 lejeqëndrime të reja, 40% më pak se një vit më parë. Reduktimi i ardhjeve ëhstë më i ndjeshëm për gratë (-45,7%) se për burrat (-33,6%). Edhe për sa u përket qytetarëve shqiptarë, rënia ka qenë e ndjeshme, edhe më e madhe se mesatarja: në vitin 2010 janë lëshuar 48.330 lejeqëndrime të reja, ndërsa në vitin 2011 vetëm 25.006.
Po të marrim në konsideratë motivin e qëndrimit, janë reduktuar më shumë lejeqëndrimet për punë (-65% krahasuar me vitin 2010) ndërsa ato për motive familjare bien por vetëm me 21,2%.
Reduktimi i ardhjeve ndihet më shumë në Veri-lindje të Italisë: nëse në vitin 2010 ishin lëshuar 170 mijë lejeqëndrime të reja, në vitin 2011 kjo shifër ishte paksa më e lartë se 83 mijë.
Rritet numri i lejeve të qëndrimit për motive humanitare dhe strehim politik
Rriten ndjeshëm lejet e lëshuara për azil politik apo për mbrojtje humanitare që kalojnë nga 10.336 të vitit 2010 në 42.672 në 2011-tën. Gjatë këtij vitit të fundit këto lejeqëndrime përbënin 11,8% të të gjitha lejeve të reja të lëshuara, ndërsa në vitin 2010 kjo përqindje ishte vetëm 1,7. 50% e të huajve të ardhur për këtë motiv janë shtetas nga Tunizia, (27,5%), Nigeria (16,3%) dhe Gana (7,4%).
Shqiptari i Italisë
In italiano: Quasi mezzo milione gli albanesi regolarmente presenti in Italia