Migjeniana, spektakël i Fjalës, Muzikës dhe Baletit kushtuar poetit në 100-vjetorin e lindjes
Tiranë, 15 tetor 2011 – Vazhdojnë veprimtaritë në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes së poetit të madh Migjeni. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dha mbrëmë shfaqjen “Migjeniana”.
Ky spektakël është një ndërthurje e fjalës, muzikës dhe baletit e interpretuar nga artistët e TKOB-së, nën koreografinë e Agron Aliaj. “Migjeniana” është krijuar nga kompozimi i Gjon Simonit mbi poezitë e Migjenit. Këto të fundit u interpretuan nga Sokol Angjelio dhe janë shkëputur nga volumi i titulluar “Vargjet e Lira”, që u botua për herë të parë më 1936.
Shfaqja rikthehet pas pesë vitesh në skenë, ndërkohë që në kuadër të 100-vjetorit të Migjenit u shfaq dhe në Shkodër.