Ofrohen vende pune për shitëse në një qendër tregtare, por jo për të huajt. Kryebashkiaku Chiamparino kërkon të zbulohen dhe të ndëshkohen autorët
Torino, 21 tetor 2010 – Fletushka që ofrojnë punë, por me kusht që të mos jenë të huaj, janë shfaqur në qendër të Torinos. Je i ri me moshë nga 18 deri në 24 vjeç? Kërkon punë për të mbuluar shpenzimet e për të mbajtur veten gjatë studimeve? Punësimi si shitës në një qendër të madhe tregtare mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme. Kështu shkruhet në lajmërim, por nuk harrohet të theksohet që nuk duan të kenë të bëjnë me bjerraditës apo, më keq akoma, me të huaj. Oferta nuk është e vlefshme për këta të fundit.
I menjëhershëm reagimi i kryebashkiakut Sergio Chiamparino: të zbulohen e të ndëshkohen autorët e manifesteve. E ka thënë nga tribuna e inaugurimit të Sallonit të shijes përkrah Dacian Ciolos-it, komisarit evropian rumun për Bujqësinë. Kryebashkiaku kërkon që të hetohet për të gjetur kush ka përhapur fletushkat me ofertat e punës në të cilat të vret sytë “jo bjerraditës, jo të huaj”.
“Në fletushkë ka një numër telefoni – thotë Chiamparino – nga ai të arrihet tek përgjegjësit. Në të shkuarën në Torino janë parë lajmërime “nuk u jepet me qira italianëve të jugut”; sot nuk mund të tolerojmë që të ketë nga ata që të thonë “nuk u jepet punë të huajve”.