Për çdo person që favorizohej të kalonte me dokumente të falsifikuara, oficerët dhe punonjësit e policisë së Rinasit që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë, paguheshin mesatarisht nga 3.800 euro
Tiranë, 20 prill 2012 – Komisariati i Rinasit përfshihet në trafik klandestinësh. Favorizuan kalimin e paligjshëm të klandestinëve drejt vendeve të BE-së, përjashtohen nga radhët e Policisë pesë efektivë kufitarë të Komisariatit të Rinasit, ndërsa për shtatë të tjerë, u morën masa disiplinore të uljes në gradë. Të ndëshkuarit dyshohet se merrnin 3.800 euro mesatarisht për çdo person që kalonte drejt vendeve të BE-së me dokumente false. Për të gjithë personat mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, ka referuar procedimin penal në prokurorinë e rrethit për disa akuza penale.
Më parë të ndëshkuarit ishin proceduar disiplinarisht me pezullim nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Të larguarit janë: Mynir Shira, me detyrë kryekontrollor, si dhe Bekim Lika, Edison Ahmetaj, Alkida Shima, dhe Nirda Lushi. Ata kanë kryer funksione dhe detyra si kontrollorë dhe përgjegjës turnesh, ndërsa u larguan nga Policia e Shtetit, për abuzime të rënda të cilësuara nga krerët e Policisë së Shtetit si dhe shkelje të gjetura gjatë punës së tyre. Ndër personat e pezulluar dhe të ndëshkuar me ulje në gradë është edhe ish shefi i krimeve të Rinasit, aktualisht shef komisariati në Laç, Komisar Astrit Gjonpalaj. Ndërkaq për shtatë të tjerët, të gjithë kontrollorë, pas masë së pezullimit nga detyra është marrë masa e uljes së tyre në gradë.
Largimi, pezullimet dhe masat disiplinore ndaj punonjësve të policisë janë kryer me rekomandime të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, pas hetimeve të kryera nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të ndëshkuarit dyshohet se janë bërë pjesë e një linje të favorizimit për kalimin e paligjshëm të kufirit të personave me shtetësi kosovare. Ata janë ndihmuar të kalojnë drejt vendeve të BE-së me pasaporta dhe dokumente të tjera udhëtimi të falsifikuara, kundrejt pagesave të ndryshme. Burimet e policisë thanë se për çdo person që favorizohej të kalonte në këtë mënyrë, oficerët dhe punonjësit e policisë së Rinasit, që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë, paguheshin mesatarisht nga 3.800 euro.
Hetimet u zbuluan afërsisht dy muaj e gjysmë më parë, kur policia e komisariatit të Portit të Durrësit, pyeti katër persona me shtetësi kosovare të cilët ishin kthyer si deportivë nga Italia, pasi ishin zbuluar se ata kishin udhëtuar drejt këtij vendi me dokumente false nga Shqipëria. Hetimi zbuloi se ata ishin nisur nga Rinasi dhe menjëherë të deportuarit u dërguan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Hetimet për ta zbuluan se kosovarët kishin paguar nga 3.800 euro dhe ishin nisur të gjithë në të njëjtën ditë dhe po kështu edhe ishin rikthyer në Shqipëri. Menjëherë SHKB-ja nisi hetimet dhe u zbulua se ata ishin nisur nga Rinasi dhe se ishin kaluar nga personat e ndëshkuar me masa disiplinore. Hetimi zbuloi se të dyshuarit kishin favorizuar kalimin e kosovarëve edhe në 11 raste të tjera, edhe ata kanë pohuar se kanë paguar 3.800 euro. Zbulimi u krye për shkak se të depërtuarit ishin kthyer në Durrës dhe jo në Rinas.
Kjo pasi kthimet që kishin ndodhur në Rinas, nuk ishin regjistruar nga personat në sistemin operativ të Policisë Kufitare TIMS. Për këtë shkak, hetuesit dhe specialistët u detyruan të kthehen në kohë dhe të kontrollojnë shumë hyrje dalje, për të gjetur emra të personave të riatdhesuar apo të depërtuar nga autoritetet italiane, apo ato të vendeve të tjera të BE-së. Sipas burimeve, kontrollet zbuluan rastet e kthimit të katër kosovarëve të kthyer në Rinas, por edhe të një numri të konsiderueshëm personash të kthyer nga vendet e tjera të BE-së. Burimet e policisë thanë se hetimet pritet të shtrihen edhe në një afat më të gjatë kohor, me qëllim zbulimin e shkeljeve të tjera të ngjashme.