Duke kërkuar të freskohej pak në ujin e freskët të pishinës, një shqiptare 34 vjeçe ka hyrë për të bërë një banjë por është ndier keq dhe pak më pas ka humbur jetën
Romë, 23 gusht 2011 – Një grua shqiptare 34 vjeçe, Ela (mbiemri ende nuk është bërë i ditur) është mbytur mbrëmë në një lpishinë në Mercallo të Vareses. Nënë e një fëmije 10 vjeç, kameriere në një restorant të zonës, rreth orës 23.30, gruaja është zhytur në liqenin e vogël artificial pak metra nga lokali ku kishte punuar deri pak çaste më parë, ndoshta për t’u freskuar pak në këto ditë të nxehta gushti.
Duke ndier ndonjë shqetësim shëndetësor, Ela është përpjekur të tërheqë vëmendjen e kolegëve dhe të klientëve të restorantit që kanë arritur ta nxjerrin në breg e të thërrasin ndihmën e shpejtë. Personeli mjekësor ka mbërritur menjëherë por e ka gjetur shqiptaren pa ndjenja e me arrest kardiak. Me të mbërritur në spitalin e Gallarates, gruaja ka humbur jetën.