Kryeministri pas masakrës së fundit kërkon mbledhjen e një Këshilli të posaçëm evropian. “Problemi i vërtetë është ai i skllavërisë së re”
Romë, 20 prill 2015 – “Ne i kërkojmë Evropës të mos na lërë vetëm, jo vetëm në trajtimin e emergjencës në det. E jona është një çështje politike, ka të bëjë me dinjitetin e njeriut. Duhet bllokuar ky trafik qeniesh njerëzore”.
Kështu është shprehur të dielën kryeministri Renzi në mbyllje të mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë pas mbytjes së fundit të migrantëve në Kanalin e Sicilisë. “Italia – shpjegoi ai – kërkon që të mblidhet sa më parë një Këshill Evropian i jashtëzakonshëm, sepse nuk mund të mos tregohet solidariteti që Evropa ka dëshmuar në të tjera raste”.
Pasi konfirmoi se ishin shpëtuar vetëm 28 vetë dhe ishin nxjerrë 24 trupa të pajetë, ka shtuar: “Do të bëjmë atë që na takon për të varrosur me dinjitet ata që kanë humbur jetën. Do të bëjmë të pamundurën për të gjetur skafistin, t’ia dorëzojmë atë drejtësisë nuk ndryshon rrjedhën e ngjarjeve por është një akt i detyrueshëm”.
“Ajo çka po bën Italia, herë në vetmi të plotë e herë në shoqëri të realiteteve të tjera ndërkombëtare – ka theksuar Renzi – është objektivisht e jashtëzakonshme dhe janë të pakonceptueshme polemikat e një pjese të vogël të politikës italiane. Kush thotë sot “sikur të mos ishte operacioni Mare Nostrum…” thotë një gjë që nuk rri as në qiell e as në tokë, Mare Nostrum është një operacion tampon”. Kujt kërkon bllokimin me anije të Kanalit të Sicilisë, kryeministri i është përgjigjur se “nëse bëhet duke nxjerrë anijet në det të hapur, rrezikon të kthehet në favor të skafistëve, sepse je i detyruar të marrësh refugjatët duke ofruar kështu një shërbim taksie. Nëse me bllokim detar kihet parasysh bllokimi i nisjeve nga ana tjetër, kjo është e pamundur të bëhet në Libi në situatën e luftës civile në të cilën ndodhet”.
Problemi “nuk zgjidhet duke vënë 10 anije më shumë apo më pak, aq më tepër që edhe tragjedia e sotme ndodhi në prani të anijes që do të ofronte ndihmë. Kjo dëshmon që nëse do të shkulësh të keqen me rrënjë duhet të ndërhyhet në tjetër mënyrë. Problemi i vërtetë është ai i skllavërisë së re”.
Papa Françesku: “Komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë që të mos ndodhin tragjedi të tilla migrantësh”
Tragjedi në Kanalin e Sicilisë. Mbi 700 migrantë mund të kenë humbur jetën
Santanché pas tragjedisë së migrantëve: “Të fundosim anijet, si në Shqipëri”