in

Tri javë studime e gërmime në amfiteatrin antik të Durrësit

Durrës, 9 shtator 2010 – Misioni arkeologjik italo-shqiptar në amfiteatrin antik të Durrësit do të vazhdojë këtë vit me ndërhyrjet në pjesën jugore të monumentit më të madh të antikitetit në vendin tonë. Grupi i specialistëve, që do të fillojë punën të hënën e ardhshme, synon të plotësojë dokumentacionin për botimin e dy vëllimeve studimore me rezultatet e deritanishme të këtij misioni.
“Kjo është ekspedita e 7-të radhazi dhe do të zgjasë tre javë”, ka thënë për ATSH-në profesoresha Sara Santoro, bashkëdrejtore e misionit arkeologjik “Durrësi”, duke shtuar se specialistët italianë do të vijnë kryesisht nga  universiteti “Gabriele D`Annunzio” i Chietit.

Misioni italo-shqiptar në amfiteatrin më të madh të vendit ka nisur në vitin 2004 dhe do të mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë-u shpreh Santoro, duke shtuar se edhe ky program do të mbështetet te bashkëpunimi me Institutin Shqiptar të Arkeologjisë të Tiranës. “Ne synojmë të rindërtojmë me objektet arkeologjike të zbuluara një pasqyrë të jetës shoqërore dhe ekonomike të Durrësit nga shekulli IX-XIII të erës sonë”, shtoi Santoro.

Restaurimi i thesarit me 546 monedha të Ragusës, më i madhi i zbuluar deri tani në vendin tonë, që u gjetën në një poçe balte të fshehur në muret e pallatit të shekullit XIII; studimi i 15 skeleteve që u përkasin periudhave nga shekulli IX deri në tërmetin e vitit 1273; restaurimi i qeramikave dhe materialeve të tjera metalike. Janë disa nga elementët që mbështesin të dhënat historike për qytetin 3000-vjeçar të Durrësit.
Ekspeditat e mëparshme kanë sjellë të dhëna të shumta arkeologjike në mbështetje të burimeve të shkruara antike dhe mesjetare mbi Durrësin dhe gërmimet e deritanishme në pjesën juglindore të amfiteatrit kanë arritur në thellësinë 2,30 metra.

Pas vëllimit të parë të botimit “Dyrrachium”, në dy pjesë të tjera do të paraqiten studimet arkiometrike dhe të gjitha rezultatet e arritura gjatë studimit të materialeve arkeologjike në monumentin madhështor.
Amfiteatri i Durrësit i përket shekullit të parë të erës sonë dhe është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i mirënjohur durrsak Vangjel Toçi. Për hapjen e pjesës perëndimore të tij gjatë periudhës 1966-1970 janë shpërngulur 50 familje dhe janë shembur 33 banesa.

Ky është monumenti më i madh i antikitetit në vendin tonë dhe vazhdon të jetë ende i pazbuluar plotësisht, pasi mbi arenën dhe muret e anës lindore ka një grup banesash. Gjatë këtij sezoni në mjediset e amfiteatrit janë organizuar një sërë veprimtarish kulturore-artistike në nivel lokal dhe kombëtar.

Zanatçinjtë e imigracionit, asqerët e rinj në shërbim të politikës italiane

Tokë dhe qiell në pikturat e Mikel Gjokajt