in

Turizëm “elitar” (me nder jush)

Nga Erion HABILAJ, gazeta Dita

Shpallja e Shqipërisë si një nga 10 vendet që duhet vizituar për vitin 2013 nga “The Guardian” dhe “Huffington Post”, kishte nxitur edhe dy turistë italianë të nisnin udhëtimin e tyre drejt bregdetit shqiptar, për të kaluar pushimet. Në këtë pikë duhen marrë shembull. Janë eksplorues “bote”, ecin me parimin që të paktën njëherë në vit duhet të shkosh në një vend që nuk e ke vizituar më parë.

Tiziano dhe Livia, nga data 3 deri në 10 gusht, u akomoduan në Dhërmi, si një nga plazhet më të bukura, por dhe më të frekuentuara në brigjet shqiptare. Ai, një djalë imcak, me flokë të kapura bisht dhe me pak mjekër, ndërsa ajo një vajzë paksa mbi peshë, por shumë sportive dhe me sy të kthjellët.

Rastësia e deshi që të takoheshim me ta gjatë rrugës duke shkuar drejt Dhërmiut dhe meqë vendqëndrimin e kishim të përbashkët, nisëm të shkëmbejnë disa fjalë anglisht dhe italisht, duke i ndihmuar edhe për komunikimin me të zotin e hotelit ku vendosën të qëndronin. Niko, pronari i dhomave që ai dëshironte t’i quante hotel, nuk dinte asnjë fjalë anglisht dhe thuajse fare pak italisht, ndërsa kuptonte greqisht me vështirësi. Gjëja e parë që u dha dy turistëve të huaj ishte ngritja e gjashtë gishtave lart për të treguar se dhoma kushtonte 60 euro për një natë. “Çifti” italian, që në fakt ishin dy miq të vjetër dhe jo në një lidhje mes tyre, u futën në dhomë dhe nisën nga pretendimet. Dhoma kishte kondicioner, por ishte i papërdorshëm, sepse spina e tij ishte më e shkurtër se distanca me prizën. Kur e pyetëm Nikon se si mund të vihej në prizë kondicioneri, përgjigja e tij ishte e menjëhershme: “Nëse doni, i vendos një zgjatues, por duhet të paguani 70 euro!”. Italianët me një lëvizje koke, në shenjë pakënaqësie, i kërkuan dy peshqirë dhe një sapun, ndërsa çarçafët ishin të shtruar, duke mos ditur nëse ishin të larë dhe vendosur rishtas apo në to kish fjetur dikush më parë! Pasi luajtëm rolin e përkthyesit, së bashku si grup siç ishim nisur nga Tirana për pushime, shkuam në dhomën tonë, e cila për çudi pati të njëjtin fat si ajo e Tizianos dhe Livias. Të intriguar nga ajo që pamë në komunikimin me Nikon, nisëm të bëjmë një vëzhgim më të hollësishëm për plazhin e Dhërmiut, që siç e thamë më lart, është ndër më të preferuarit.

Çmime në tavan!

Çmimet? E para se të vijmë te çmimet… Po që duhet të prisje kamerierin një çerek ore për të pirë një kafe! Dhe kur ia bëje me shenjë që të afrohej drejt teje…merrje nga ai një fytyrë të zemëruar (mendoheshe… ndoshta e kam edhe gabim!)

Gjatë qëndrimit në Dhërmi, shkuam në disa prej restoranteve që ndodheshin aty. Ashtu dhe si dhe vitet e tjera, çmimet janë vërtet të kripura, madje këtë vit ishin bërë ‘shëllirë’ fare. Por që të paktën ta tregojnë që në menu dhe vendos vetë nëse do të qëndrosh për një drekë apo darkë… Aty bisedova me një djalë të ri, i cili punonte si kamerier. Ledio ishte një student në Juridik dhe gjatë verës punonte si kamerier në Dhërmi, për vitin e tretë radhazi. Kur e pyetëm si ka mundësi që çmimet janë kaq të shtrenjta, ai tha se pronarët e lokaleve që janë në Dhërmi kërkojnë që për 45-50 ditë të nxjerrin lekët e një viti punë. Duke na shtuar më tej një histori, e cila ilustron teorinë e tij. Ledio rrëfeu fatin e disa kamerierëve, të cilët shkojnë për punë dhe në fund ikin me dhunë nga pronarët. Sipas tij, pronarët e lokaleve, të babëzitur për të pasur sa më shumë përfitime dy-tre ditë nga fundi i sezonit, bëjnë një inventar të gjendjes së mallrave dhe u del që mungon diçka. Menjëherë gjejnë fajtorin që janë banakieri dhe kamerieri. Pasi i kërcënojnë, i largojnë nga puna duke mos u dhënë asnjë lek për punën e bërë. E pyetëm Ledion që pse nuk reagojnë kur ndodhin raste të tilla dhe përgjigja e tij e atypëratyshme ishte: “Në përgjithësi në Dhërmi lokale dhe resorte kanë bërë ata që kanë së paku mbi shpinë tre vrasje dhe përballja me ta është e rrezikshme”. Në fakt, po të mendosh çmimet e Dhërmiut me standardin e jetës në Shqipëri, vërtet që ka një disnivel të madh. Mjafton të kujtojmë se në restorantin më të thjeshtë, një pjatë makarona shkonte afro 700 lekë të reja, apo se një darkë për tre apo katër persona, nuk mund të ishte më pak se 5 mijë lekë të reja.

T’u ça këmba? Shko në minimarket!

Gjatë ecjes në vijën bregdetare, vëllai im Orgesti papritur shpon këmbën me qelqen e një shishe birre që ishte thyer aty. Menjëherë m’u desh të shkoja afër një minimarketi për të pyetur nëse ndonjë farmaci, ose qendër shëndetësore ndodhej afër?!… Përgjigja e shitësit ishte surprizuese. “Më e afërta ndodhet në Himarë, por nëse të duhen alkool dhe manikota mund t’i blesh te unë”. Në dyqanin ku bliheshin fruta-perime dhe ushqimore, bleva dhe një jod, pambuk dhe një pako me manikota. Dëmtimi që kishte pësuar ishte i vogël, por nuk di nëse shitësi do të më përgjigjej nëse do ishte nevoja për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale apo qepje…

Do ta ngulësh dhe s’e ngul dot!

Po të nisesh nga Tirana me një çadër me vete për t’u mbrojtur nga dielli, është e sigurt që s’do kesh shans ta ngulësh në ndonjë cep, sepse gjithë bregdeti ishte “tokë e xanun”. Pronari i lokalit apo resorteve menjëherë të jepte urdhër të ngriheshe dhe të shkoje te një çadër që kishte vendosur aty me çmim që shkonte nga pesë mijë lekë të vjetra, në 10 mijë lekë, varej nga cilësia e kashtës.

Vazhdo të lexosh artikullin të plotë në gazetën Dita: Turizëm “elitar” (me nder jush)

 

Arrestohet Frrokaj, një nga dy shqiptarët e arratisur në shkurt nga burgu i Parmës

Novara. Kërkon të freskohet në ujërat e Ticinos, por gjen vdekjen