in

Udhëtimet me tragete sot, si ekzodi i 1991-shit

Pamje që të kujtojnë ekzodet masive të dy dekadave më parë. Foto dhe pamje shokuese të udhëtimit me traget linje Vlorë-Brindisi. Një pasagjere denoncon në të përdishmen Shqip imbarkimin e më shumë se 2.000 personave dhe qindra automjeteve të tonazheve të ndryshme në një traget që niset nga Vlora drejt Brindisit

Traget i tejmbushur, njerëz të shtrirë nëpër korridore, apo që qëndrojnë më këmbë mbi kuvertë, të ngjeshur mbas parmakëve. Nuk janë imazhet e ekzodeve të viteve Nëntëdhjetë, por ato të një udhëtimi linje të para pak ditëve të botuara sot nga gazeta Shqip.

Udhëtarja E. Shehaj, që prej vitesh studion në Itali, që udhëtonte nga porti i Vlorës drejt atij të Brindisit, i ka nisur gazetës pamje filmike e foto që dëshmojnë numrin e madh të pasagjerëve të imbarkuar në tragetin “European Voyager” pasditen e së shtunës së javës së kaluar. “Jemi më shumë se 2.000 pasagjerë të imbarkuar në tragetin ‘European Voyaer’. Ka disa orë që ka nisur imbarkimi dhe vazhdojnë të vijnë ende njerëz dhe automjete në bordin e tragetit. Kjo që po ndodh është e frikshme. Nuk di nëse ky traget do të mund të na transportojë të gjithëve përtej Adriatikut, apo do të fundoset në ujërat e detit Adriatik, për shkak të mbingarkesës. Ju lutem na ndihmoni dhe kontaktoni me autoritetet portuale të Vlorës dhe i njoftoni për situatën e krijuar” është shprehur ajo e trembur për gazetën.

Në videon disaminutëshe të bërë me celular, që boton sot gazeta-shqip.com, duken qartë korridoret e tragetit të tejmbushur me pasagjerë. Kush ka qenë më i shpejtë ka arritur të sigurojë një vend në karriget e barit, apo janë ulur në korridore e hapësira të tjera të tragetit. Për shkak edhe të temperaturave të larta, duket se ata mijëra persona po vuanin mungesën e hapësirës atë ditë. Ndërkaq, në recepsionin e tragetit shfaqen dhjetëra persona që kërkojnë shpjegime për atë që po ndodh aty. Por asnjë përgjigje nuk kanë arritur të marrin, ndërsa radhët e tyre shtohen pas çdo çasti që kalon. Në sfondin e zhurmave dhe të bërtiturave dëgjohen edhe fjalë të gjuhëve të huaja, që sipas denoncueses ishin turistë të huaj. Të kalosh në korridoret dhe hapësirat e tragetit nuk dukej një gjë e lehtë. Shfaqen burra, gra e fëmijë të shtrirë apo që janë ulur në dysheme pranë njëri-tjetrit. Nëse të duhet të zhvendosesh nga një vend në tjetrin, duhet të jesh i kujdesshëm, që të mos lëndosh ndonjërin prej tyre.

E ndërsa vajza, e cila ka filmuar këto pamje del në kuvertë, ajo çfarë ka arritur të kapë kamera e vogël e aparatit celular, është vërtet tronditëse. Në të gjithë kuvertën, në të gjitha anët duken njerëz pa mbarim. Të gjithë qëndrojnë të ngjitur pranë njëri-tjetrit, për shkak të numrit të madh. Janë vërtet pamje që të kujtojnë eksodet e së kaluarës, vetëm se këto i përkasin të shtunës së javës së kaluar. Nga të gjitha anët kuverta është e tejmbushur me qindra njerëz. Këta qindra e mijëra shqiptarë e të huaj zhurmojnë për atë që po ndodh. Të gjithë flasin me zë të lartë, fishkëllejnë dhe shajnë. Por, ndonëse këto pamje u regjistruan rreth orës 16:30 të datës 25 gusht 2012, trageti “European Voyager” u nis pas orës 18:00 dhe sipas denoncueses deri në momentin e fundit u imbarkuan pasagjerë dhe automjete që dukej sikur nuk kishin të mbaruar.

Autoritetet Portuale në Vlorë, të pyetur nga gazeta për situatën e krijuar pasditen e së shtunës së javës së kaluar, e quajtën atë si normale. Sipas tyre, me dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi ishin nisur drejt Italisë 1.385 pasagjerë e 226 automjete me tragetin “European Voyager” dhe 960 pasagjerë e 167 automjete me “Jonian Spirit”. Autoritetet sqaruan se trageti “European Voyager” ka një kapacitet prej 1.700 pasagjerësh dhe numri i njerëzve të imbarkuar në të, të shtunën e javës së kaluar, ka qenë nën këtë kapacitet.

Lexo artikullin e plotë në Shqip

Durrës Sekuestrohen 189 kg drogë, arrestohet një person

Marocchino massacrato a botte. Il giudice: “Violenza bruta e odio razziale”