in

Udhëtimi me avion. Ç’duhet bërë për t’u rimbursuar kur bagazhi dëmtohet apo humbet

Fatkeqësisht ndonjë udhëtim me avion shoqërohet me surprizën e hidhur në mbërritje kur kupton që bagazhi që kishe nisur në stivë ka mbërritur i dëmtuar, apo më keq akoma, nuk ka mbërritur fare.

Humbja e valixheve: ku të drejtohemi e si të veprojmë

Duhet shkuar menjëherë në zyrën Lost and Found (Zyra e Bagazheve të humbura) të aeroportit për të denoncuar humbjen ose dëmtimin e bagazhit. Janë të nevojshme: bileta e fluturimit, kuponi i bagazhit dhe përpilimi i modulit PIR (Passenger Irregularity Report) ku duhet të shënohen karakteristikat fizike e bagazhit (përmasat, ngjyra, modeli, marka). Paditja në Zyrën e Bagazheve të humbura, u hap rrugën kërkimeve për bagazhin.

Bagazhi konsiderohet zyrtarisht i humbur nëse nuk dorëzohet brenda tri javëve (21 ditëve) nga data e mbërritjes së avionit, por shoqëria ajrore mund të njohë edhe në një kohë më të shkurtër humbjen e bagazhit. Në këtë pikë pasagjeri mund të bëjë reklamimin me shkrim (këshillohet gjithnjë me postë të porositur, me lajmërim marrjeje). Në reklamim duhet specifikuar dëmi i pësuar, duke dhënë provat (listën e detajuar të sendeve/rrobave që përmbante çdo bagazh që nuk është dorëzuar, kopjen e biletës, kuponin e bagazhit të humbur, kopjen e formularit PIR të përpiluar në aeroport. Kompania ajrore është përgjegjëse edhe kur nuk ka faj, me përjashtim të rastit kur arrin të tregojë që përgjegjësia e dëmit është e pasagjerit ose që ky ka kontribuuar me neglizhencë, fshehje apo akte të paligjshme.

Në rast dëmtimi të bagazhit, brenda 7 ditëve nga mbërritja juaj mund t’i paraqisni reklamim me shkrim (këshillohet gjithnjë me postë të porositur, me lajmërim marrjeje) kompanisë ajrore, duke bashkangjitur kopjen e PIR-it të përpiluar në aeroport. Kompania ajrore është përgjegjëse edhe nëse nuk ka faj, me përjashtim të rastit kur arrin të tregojë që përgjegjësia e dëmit është e pasagjerit apo kur është fjala për një defekt të vetë bagazhit.

Dëmshpërblimi

Për shoqëritë ajrore evropiane dhe të tjera që kanë nënshkruar konventën e Montrealit përgjegjësia e shoqërisë për dëmin e shkaktuar nga humbja, vjedhja, dëmtimi, dorëzimi me vonesë i bagazhit është e kufizuar, maksimumi, rreth 1.167 euro për çdo bagazh të trasportuar dhe dëmshpërblimi që ato japin është sipas dëmit efektiv të pësuar (gjithnjë pa kapërcyer 1.167 eurot);

Për kompanitë ajrore që nuk kanë nënshkruar konventën e Montrealit përgjegjësia e kompanisë është 20 dollarë (rreth 15 euro) për kg të bagazhit të transportuar.

Është gjithnjë e mundshme që të rritet vlera e dëmshpërblimit përmes të ashtuquajturit “deklarim i vlerës“, që bëhet në momentin e check-in-it, që mundëson rritjenn e përgjegjësisë së kompanisë, por kundrejt pagesës së një tarife shtesë nga pasagjeri: deklarimi i vlerës së bagazhit bëhet me përpilimin e formularëve të posaçëm që kërkohen në check-in.

Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com

 

Udhëtimi me avion. Dëmshpërblimi në rast anulimi apo vonese të fluturimit

40-vjeçari humb jetën në det, ndërsa kalonte ditën në plazh me të birin