Edhe federata shqiptare nën akuzë, për mospranimin e vazhdimit të lojës nga futbollistët kuqezi e për banderolën “e paligjshme”
Romë, 15 tetor 2014 – Pasdite mbërrin komunikata zyrtare e UEFA-s për qëndrimin mbi atë çka ndodhi mbrëmë në stadiumin Partizan të Beogradit.
Autoriteti më i lartë i futbollit evropian bën me dijë se ka nisur procedurat për marrjen e masave disiplinore ndaj të dyja federatave. Ndaj asaj serbe për ndezjen e lëshimin e fishekzjarreve dhe të bombave të tymit, për trazirat publike, për pushtimin e fushës nga tifozët, për organizim të pamjaftueshëm dhe për përdorimin e lazerëve. Njoftohet gjithashtu se hetimet kanë nisur edhe ndaj palës shqiptare, për refuzimin e futbollistëve për të vazhduar lojën dhe për shfaqjen e banderolës “së paligjshme”, kështu e quan UEFA të ashtuquajturin flamur që fluturoi mbi stadium.
Së fundi, lajmërohet se çështja do të shqyrtohet nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, të enjten e ardhshme, më 23 tetor.